Vllaznia do të përballet ndaj Laçit në finalen e Kupës së Shqipërisë. Për shkodranët kjo është mundësia e vetme për të mbërritur në Europë pasi dështoi nga kampionati. Ndërkohë Sokol Xhihani që ishte i ftuar në “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora News”, ka treguar edhe arsyen tjetër pse kurbinasit mund t’i bëjnë dëmin e madh Vllaznisë, për t’i hedhur në erë të gjithë sezonin.
“Do të jetë ndeshje e fortë kjo e sotmja. Vllaznia do ta kërkojë trofeun edhe për shkak se vetëm kështu shkohet në Europë, ndërsa Laçi jo më kot gjendet në vendin e dytë. Nuk shoh ndonjë skuadër favorite, i kam parë ndeshjet e tyre në kampionat. Laci ka disa elemente më tepër në formacion dhe Guindo si golashënues. Dua të shoh se çfarë do të bëjë Vllaznia. Do të jetë ndeshje që mund të vendoset nga episodet.
E kam shumë të vështirë që të parashikoj tani, nuk e di. Mendoj realisht se as 120 minuta loje nuk mund të mjaftojnë pasi mund të shkohet te 11-metërshat. Do të doja që Vllaznia të mos ngelte pa Europë pasi ai qytet e dashuron futbollin. Por nuk duhet të harrojmë dhe një gjë se fituesi i Kupës shkon direkt në turin e dytë të Conference League. Kjo do të thotë shumë edhe për Laçin, në aspektin financiar dhe që nuk do ta nis nga turi i parë i këtij kompeticioni”, tha Xhihani. /Sport Ekspres/