Presidenti Duka dhe delegacioni i FSHF-së marrin pjesë në Kongresin e 46-të të UEFA-s

Kongresi i 46-të i zakonshëm i UEFA-s ka zhvilluar punimet ditën e sotme në Vienë në të cilin morën pjesë drejtuesit e federatave anëtare. Në këtë kongres ishin të pranishëm edhe delegacioni shqiptar i udhëhequr nga Presidenti Armand Duka, njëherazi edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, dhe dy anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, Abdyl Kuriu dhe Anila Basha, të cilët u njohën me vendimet e ndryshme.

Të gjithë anëtarët e UEFA-s u informuan rreth një rritje të konsiderueshme në programin e solidaritetit dhe zhvillimit të “HatTrick VI”, që është parashikuar të marrë 935 milionë euro në katër-vjeçarin e ardhshëm 2024-2028. Kjo nënkupton një rritje prej 21% (160 milionë euro) nga 775 milionë euro që janë në dispozicion të “HatTrick V”, ku çdo federatë anëtare do të ketë mundësi të marrë deri në 17 milionë euro përgjatë 4 viteve.

Programi “HatTrick”, ku Presidenti Duka është një nga zv.kryetarët ka mbështetur federatat anëtare të UEFA-s në zbatimin e programeve të edukimit dhe zhvillimit, si iniciativat bazë për vajzat dhe djemtë, programet e përgjegjësisë sociale, edukimin e arbitrave dhe trajnerëve, si edhe financimin në infrastrukturën futbollistike – duke ndihmuar në ndërtimin e fushave, stadiumeve, qendrave të trajnimeve dhe zyrave qëndrore. Që nga krijimi i saj në vitin 2004, HatTrick ka investuar afro 2.5 bilionë euro në futbollin europian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *