“A ju duket kjo vijë normale“? Longo kapet me VAR-in pas humbjes: Një fëmijë 7 vjeç e heq një vijë të tillë, ka qenë muaj i padrejtë

Vllaznia ka arritur ti rrëmbejë një fitore Kukësit në sekondat e fundit. Sfida e luajtur mbrëmjen e sotme në “Loro Boriçi“ është mbyllur me rezultatin 2-1 për kuqeblutë. Kukësi flirton i pari me golin, teksa trondit për një moment shtyllën. Por ai që gjen i pari rrugën e rrjetës ishte Da Silva.

Erdenis Gurishta jep një harkim perfekt në zonë në minutën e 42-të, i cili shfrytëzohet më së miri me kokë nga Da Silva. Pjesa e parë mbyllet me epërsinë e shkodranëve. Kuqeblutë kanë ruajtur avantazhin deri në minutën e 80, kur Bruno Lulaj rikthen baraspeshën. Taipi lëshon një predhë nga distanca, që është e pamundur të kontrollohet nga portieri Zogoviç. Topi i shpëtuar nga duart e tij bie në këmbët e Lulajt, i cili e shtyn në rrjetë.

Megjithatë ndeshja përfundon atëherë kur i fryn bilbilit arbitri dhe kjo shprehje merr vlerë edhe në “Loro Boriçi“. Mehdi Coba bën heroin për Vllazninë, teksa hyn në fushë nga stoli dhe në sekondat e fundit të ndeshjes shënon golin e fitores. Stadiumi shpërthen i gjithi në festë, e cila është e gjitha legjitime përballë një kundërshtari direkt si Kukësi. Vllaznia shkon kështu në vendin e tretë në renditje, duke hedhur kështu njërën këmbë në Kupat e Europës. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Gol pas Goli“ në “Supersport“.

Longo (Kukësi): “Jam shumë i mërzitur. Jam kurioz sepse pamë në TV në dhomën e zhveshjes golin e dytë. Dua ta shoh edhe njëherë për të parë pak linjën e VAR-it. Nuk dua të gjykoj, por dua të di. Kjo vijë duket normale? Kam fëmijë të moshës 7-vjeçare dhe mund ta bëjnë vijën në këtë mënyrë. Pres që vija e VAR-it të jetë e drejtë. Nuk po them asgjë për televizionin. E di shumë mirë që është vija e VAR-it. Kam sy si gjithë njerëzit për të parë këtë vijë të VAR-it. Kjo ndeshje dhe humbja me Kastriotin na ndërlikojnë shumë. Për mua nuk është e drejtë ajo çfarë ndodhi këtu. Nuk dua polemika as me mediat, por nëse i analizoni çfarë kanë ndodhur muajin e fundit, nuk është e drejtë. Jam shumë i mërzitur“.

Plori (Vllaznia): “Goli në minutat e fundit të kënaq më tepër, kur mendon se te iku fitorja nga duart nga një gabim krejt i evitueshëm. Ky gol në minutat e fundit na kthen mbrapa një sezon më parë. Golat në minutat e fundit na kishin munguar. Këto dy rezultate më kanë ardhur në kohën e duhur. Kam qenë shumë i përgojuar përse nuk kam fituar këto javët e fundit. Aktivizimi i Cobës? E parandjeva. Ata po linin hapësira në anën e majtë. Coba vetëm dy minuta bëri nxehje dhe e futa direkt. E prita golin. Latifi nuk ishte në gjendje të futej në fushë. E kam pyetur gjithmonë se si e ka këmbën. Por në momentin kur barazuan ai vendosi të futej. E mori parasysh rrezikun. Ka një hematomë shumë të madhe“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *