Partizani-Tirana është derbi që luhet në mbrëmjen e sotme, asnjë arsye nuk ekziston për t’u humbur një ndeshje e tillë. Bardheblutë kërkojnë me patjetër fitoren për të siguruar titullin. Pritja po shkon gjatë dhe Laçi ka futur “marshin e pestë”, gjëja e fundit që duhet menduar është diskutimi i titullit kampion.
Por te Partizani kanë shumë më tepër arsye për t’iu kundërpërgjigjur skuadrës së Shehit. Tifozët thonë se është më mirë të fitosh derbin sesa kampionatin, kjo nuk është shprehja e vetme që të kuqtë mund të gjejnë ngushëllim mes zhgënjimeve të shumta të këtij sezoni.
Nëse për Laçin ishte e tepërt që Tirana të festonte para syve të tyre dhe e mundi, nëse për Teutën ishte e tepërt që t’i dorëzonte titullin kampion Tiranës dhe ta shihnin duke e gëzuar, atëherë çfarë i mbetet Partizanit për të thënë?
Padyshim që lojtarët duhet të japin edhe frymën e fundit vetëm që rivalët e tyre të përjetshëm të mos e mbyllin aty titullin kampion. Në çdo ditë tjetër lejohet, por kurrsesi sot. Drejtuesit e dinë gjithashtu se një humbje në mbrmëjen e sotme do të shkëpuste përfundimisht marrëdhënien me tifozët që janë dëshpëruar jo aq pak në këtë sezon. Nuk mund ta pranojnë kurrsesi një tjetër humbje dhe që Tirana të festojë titullin kampion në derbi.
Kjo sfidë shkon edhe përtej krenarisë, është e vlefshme edhe për objektivat e rivendosura gjatë sezonit për Partizanin. Pas eliminimit nga Vllaznia në Kupë, kampionati është e vetmja rrugë kryesore nga ku mund të dilet në Europë. Aktualisht të kuqtë po mbajnë vendin e tretë, por Vllaznia dhe Kukësi janë aty për të pritur gabimin më të parë dhe për ta parakaluar. A do të ngec “makina” e Dritan Mehmetit në maloren e sotme? Mbetet të shihet! /Sport Ekspres/