Ekskluzive/ “Tirana ta festojë titullin ndonjë ditë tjetër, fitojmë ne”! Flet lojtari që përkrah Partizanin nga stadiumi: Më mirë derbin se kampionatin

Tirana ka mundësinë për t’u shpallur kampion në ndeshjen direkte me Partizanin, në derbin që mban të mbërthyer Superioren. Si do të shkojë sfida? Për tifozët një fitore në këtë përballje vlen më shumë se kampionati i fituar. Pra te Partizani do t’i gëzoheshin jo pak suksesit, ndërsa te Tirana do t’i gëzoheshin dyfish. “Sport Ekspres” ka kontaktuar me Lauren Ismailaj, një rast të veçantë.

Aktualisht futbollisti i Vorës, Laureni ka dalë nga akademia e Partizanit dhe ka qenë pjesë e kualifikimit historik ndaj Ferencvaros. Në kohën e Sormanit kishte jo pak minuta për të dhe menjëherë pas largimit të tij, nisën disa eksperienca të reja në Kosovë. Tani Ismailaj i ndjek ndeshjet e Partizanit nga stadiumi, duke u futur në tifo grupin “Ultras Guerrils”.

I dalë nga akademia e Partizanit. Me cilën prej lojtarëve aktual të Partizanit apo të njohur në Superiore ke qenë në fillimet e tua?

Një prej lojtarëve që është edhe sot pjesë e ekipit, Alban Hoxha. Pastaj ai grupi i lojtarëve ka qenë ndër më të mirët e ekipit të Partizanit. Në Superiore luajnë sot Asion Daja, Mazrekaj, Xhika, kurse lojtarët e tjerë janë pothuajse të gjithë në ekipe jashtë Shqipërisë.

Me Adolfo Sormanin ke marrë jo pak minuta dhe kualifikimi me Ferencavors, historik. Cilat janë kujtimet më të bukura nga ajo periudhë?

Kujtime të bukura ka plot sepse ishte një natë e paharrueshme si për lojtarët, por edhe për tifozët që erdhën në Hungari për të na ndjekur. Ishte vërtet kënaqësi të ishte pjesë e atij grupi, me ata lojtarë dhe djem fantastik.

Çfarë ndodhi më pas që nisi largimi nga të kuqtë? E ke një peng nga ajo periudhë?

U largova nga Partizani me dëshirën për të provuar një eksperiencë të re në Kosovë, por edhe për të pasur më shumë minuta. Të them të drejtën ishte e vështirë të luajte te Partizani kur kishte lojtarë të kalibrit të lartë si Ekuban, Mazrekaj, Sukaj, Batha, Trashi, Vila, Ramadani dhe shumë të tjerë. Kam vetëm një peng që Sormani u largua shpejt nga ekipi, asgjë tjetër.

Tashmë e ndjek skuadrën nga Ultras Guerrils. Si është ndjenja për ta mbështetur ekipin nga shkallët e stadiumit? Të kap keqardhja dhe mendimi që të ishe ti ne fushën e blertë?

Partizanin e kam ndjekur që 7 vjeç në 2002 nga shkallët e stadiumit, ndjenja është e papërshkrueshme ta ndjekësh skuadrën nga tribuna dhe me grupimin më të mirë dhe të papërsëritshëm të trojeve shqiptare, Ultras Guerrils. Duhet të vish aty për ta provuar ndjenjën se me fjalë nuk përshkruhet.

Ndeshja e radhës me Tiranën, derbi ku rivalet e përjetshëm mund të fitojnë titullin. Mendon se do ta lejoj Partizani një gjë të tillë dhe çfarë drithërimash të përshkruajnë në një duel të tillë?

Tirana ka bërë një kampionat të mirë këtë sezon, por titullin le ta festojë ndonjë tjetër se Partizani do të fitojë të shtunën. Vijmë nga një moment i mirë dhe nuk besoj se do ndalen as tani. Për tifozët derbi është jetik aq sa…më mirë derbin se kampionatin. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *