Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar një event ku morën pjesë drejtues të FSHF-së dhe personalitete të futbollit dhe jetës publike. Në këtë takim u shpalos strategjia “Futbolli për Kombin 2022-2025”. Armand Duka ka shpërndarë një postim në llogarinë e tij zyrtare në “Facebook”, ku shprehet se nuk do të ndalet në misionin ee FSHF-së për ta kthyer futbollin në një forcë shtytëse për shoqërinë shqiptare.
“Lançuam sot strategjinë “Futbolli për Kombin 2022-2025”, një material i detajuar dhe i mirëmenduar për të cilin kemi punuar intensivisht me partnerët tanë të UEFA-s. Në emër të FSHF dua t’ju garantoj se ne nuk do ndalemi në misionin tonë për ta kthyer futbollin në një forcë shtytëse për shoqërinë shqiptare.
Ne besojmë te puna, jemi të vetëdijshëm për kapacitetet tona dhe nuk kemi asnjë dyshim se duke dhënë më të mirën tonë, ne të gjithë bashkë do të arrijmë të bëjmë të mundur edhe ato objektiva që për disa duken utopikë.
E kemi treguar, dhe do vazhdojmë ta tregojmë çdo ditë dhe çdo orë se duke punuar, se duke qëndruar të bashkuar përreth vlerave që përfaqëson sporti në përgjithësi dhe futbolli në veçanti, mund të shkojmë larg!”, shkruan Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/