Klubi i Laçit ka dalë në një komunikim zyrtar mbrëmjen e sotme ku shpreh solidarizimin me presidentin e FSHF-së, Armand Dukën, pas shpërthimit të tri.tolit në banesën e tij. Skuadra kurbinase gjithashtu kritikon ndërhyrjen e politikës në futboll, duke e quajtur të pahijshme situatën e krijuar së fundmi
“Klubi i Laçit solidarizohet plotësisht me Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, pas shpërthimit me eksploziv që ndodhi të hënën në shtëpinë e tij. Covid-19 prej dy vitesh na ka penalizuar të gjithëve dhe tani jemi në një situatë tjetër jo të hijshme, me tentativa të ndërhyrjes së politikës në botën e futbollit. Kjo që po ndodh është e papranueshme për futbollin në tërësi.
Urojmë që futbolli të rikthehet sa më shpejt në normalitet dhe të vazhdojë të shikojë përpara për organizimin e një eventi madhor e historik për Shqipërinë, siç është finalja e UEFA Conference League në Tiranë më 25 maj. I shprehim mbështetjen tonë të plotë Presidentit Duka në këtë moment delikat”, shkruhet në reagimin zyrtar të Laçit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/