Megi Doçi është një nga futbollistet më të mira shqiptare. Sulmuesja e Vllaznisë fitoi edhe çmimin e “Topit të Artë” në fund të vitit të shkuar, për të cilin shprehet se e ka arritur pas shumë pune dhe sakrificave. E ftuar në studion e emisionit “Ora Sport“ në “Ora TV“ Doçi flet edhe për të ardhmen e saj, teksa zbulon se ka pasur oferta nga Juventusi si dhe nga ekipe angleze, zvicerane dhe polake.
“Sigurisht që ndihem shumë e lumtur. Pas çdo çmimi fshihet shumë punë, fshihen shumë sakrifica po edhe shumë mbështetje nga ekipi. E ardhmja? Është shumë e vërtetë, kam pasur kërkesa nga Juventusi dhe nga shumë vende të tjera si Zvicra. Polonia është shumë e interesuar pas meje, po ashtu dhe Anglia. Shpresoj që në të ardhmen të kemi surpriza. Në fund të fundit nuk është çdo gjë te lekët është edhe dëshira, dhe te ndjenjat. Në zemër gjithmonë do të jetë Vllaznia”, ka thënë Megi Doçi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/