E bujshme/ Mediat hungareze u tregojnë tifozëve shifrat e Armando Brojës nga Premier League: E kuptoni tani pse na mundi Shqipëria dy herë?

Nga Klaudio Ndreca

Në momentin kur do të hidhej shorti i kualifikuesve të Botërorit, Polonia shihej si rivali i pamundur që na pengonte për të marrë vendin e dytë. Por menjëherë pas mbarimit të Europianit, u ndryshua mendimi. Kohë të ndryshme, mënyra ndryshe të gjykuarit.

Pas barazimit ndaj Francës dhe barazimit me Gjermaninë, teksa pancerat i rrezikuan seriozisht eliminimin që nga faza e grupeve, Hungaria shihej më e fortë sesa Polonia. Për më tepër djemtë e drejtuar nga Rossi do të përballeshin menjëherë me Shqipërinë pas gjithë optimizmit për forcën e treguar në Europian.

Fakti rezultoi se kuqezinjtë fituan dy herë me Hungarinë dhe po humbën po në të njëjtën mënyrë me Poloninë. Njeriu i suksesit ndaj hungarezëve ka qenë Armando Broja me golat e tij vendimtar. Sulmuesi po vazhdon që të mbajë të njëjtën lartësi edhe në Premier League duke vendosur javë pas jave rekorde të reja.

Ky sukses nuk po lihet pa u përmendur edhe nga mediat hungareze që u tregojnë tifozëve të tyre se nuk ishte rastësi disfata me Shqipërinë. “Po ju tregojmë një statistikë për ata që ende nuk e kuptojnë si humbëm me Shqipërinë”, shkruan “Sport 24.hu”. “Kur Hungaria u kthye nga Europiani dhe u përball me Shqipërinë, shumë njerëz nuk e kuptuan sesi ndodhi kjo shëmti për humbjen tonë. Armando Broja që shënoi ndaj nesh, luan në Premier League dhe shënoi edhe ndaj Brentfordit. Është lojtari më i ri që ka shënuar 5 gola në Premier League në këtë sezon”, shkruhet mes të tjerash në raportim.

Nga ana tjetër edhe “Nemzetisport” shkruan për Brojën, duke e lidhur në të njëjtën mënyrë: “Emri i 20-vjeçarit Armando Broja mund të tingëllojë i njohur për tifozët hungarez të futbollit, edhe nëse kujtimet e një tifozi nuk janë nga më të fortat. Vitin e kaluar, kombëtarja hungareze humbi 1–0 në kualifikueset e Botërorit ndaj shqiptarëve në Elbasan dhe në Puskás Arena, duke i dhënë lamtumirën shanset e tyre reale për t’u avancuar”, shkruan Nemzetisport duke paraqitur Armando Brojën. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *