Dejan Zarubica ka qenë një nga elementet më të rëndësishme të Laçit të këtij sezoni. Futbollisti malazez ka arritur që të shënojë 6 gola në këto 15 javë të para të kampionatit, duke qenë një vlerë e madhe në sulmin kurbinas. Lojtari 28-vjeçar ka dhënë një intervistë për mediat në vendin e tij të lindjes, ku ka treguar eksperiencën e tij te Laçi. Zarubica rrëfen se ndihet i lumtur në Shqipërië, ku sipas specialistëve, bardhezinjtë e Josës janë ekipi më i mirë në kampionat dhe në rrugën e duhur për të fituar trofe. Ndërkohë futbollisti malazez nuk premton të respektojë deri në fund kontratën e tij me klubin shqiptar, duke qenë se si kurrë më parë në karrierën e tij ofertat nga kampionatet e huaja kanë qenë të shumta.
“Që në fillim kam asistuar në turin e dytë të kualifikimeve të Ligës së Konferencës në ndeshjen e kthimit kundër Podgoricës, ndërsa goli im ishte i vetmi në duelin me favoritin, Universitatea i Krajovës. Laçi nuk ka luajtur më parë në raundin e tretë të kualifikimeve dhe ky është suksesi më i madh. Këto ndeshje më kanë sjellë shumë dashuri dhe mbështetje nga tifozët dhe e shijoj shumë Shqipërinë.
Kurrë nuk kam pasur një fillim kaq të mirë të sezonit si te Laçi, por jam ndarë nga fusha për dy muaj nga një dëmtim në kyçin e dorës. Kam pasur fatin që ka një spital amerikan në Tiranë dhe klubi ka paguar trajtimin. U ktheva me gola ne fituam gjashtë në tetë ndeshjet e fundit. Në atë seri festuam kundër Tiranës dhe Kukësit. Sipas opinionit profesionist vendas, ne jemi skuadra më e mirë dhe nëse vazhdojmë në këtë ritëm në kampionat, atëherë mund të shpresojmë për tituj.
U kualifikuam edhe në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë, ku jemi favorit ndaj Egnatias, të cilën e mundëm në fund të gjysmësezonit. Laçi është 40 kilometra nga Tirana, ku jemi stacionuar dhe presidenti ka një restorant ku ne kemi ushqim. Kam vërtet marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë dhe jam i pranuar në mënyrë fantastike, ashtu si Marko Roganoviç që luan pas meje në formacion dhe ka ardhur nga OFK Titograd
Kam kontratë edhe një vit e gjysmë, por me bonuse të shumta që më së shumti i kam plotësuar. Jam i kënaqur me kushtet, por duhet ta pranoj që nuk kam pasur kurrë kaq shumë oferta të mira dhe të shumta të huaja.
Nuk është e sigurt se do të qëndroj deri në fund të kontratës te Laçi. Jam edhe me fat që trajneri është i madh, sepse Mirel Josa e çoi Skënderbeun në fazën e grupeve të Europa League”, ka deklaruar Dejan Zarubica./Halit Delibashi-Sport Ekspres/