“Mos fitoni kampionatin, mjafton që të fitoni derbin”! Kjo është fjala e shumë tifozëve të Partizanit dhe Tiranës, që nderin e kryeqytetit e duan më shumë sesa edhe një trofe në fundin e sezonit.
Bardheblutë duket se bekohen nga duart shpëtimtare të ish-portierëve, që kthehen në trajner shumë të mirë dhe kanë formulën e suksesit. Egbo ishte i pari që theu mallkimin e derbit të munguar ndaj Partizanit, ndërsa po e trashëgon Orges Shehi.
Derbi i vetëm që do të humbej nga Shehi ndaj Partizanit i përket 13 marsit, ku Belica dhe Bardhi vendosën për fitoren e ekipit që drejtohej edhe atëherë nga Ilir Daja. Ndërkohë për Shehin ishte vetëm derbi i parë dhe ishte e kuptueshme, do të përfitonte përvojë për t’u rikthyer më i fortë.
Në ndeshjen parasardhëse mes dy ekipeve, do të rezultonte një barazim pa gola që la të pakënaqur edhe tifozët në shkallët e stadiumit. Derbi i tretë dhe dueli i tretë mes Shehit dhe Dajës shkoi në favor të Tiranës.
Penalltia e Limajt rezultoi përcaktuese për suksesin e bardhebluve. E për të dërguar rezultatin e përgjithshëm në 2-1, Shehi ia doli edhe në derbin e fundit kundër Ilir Dajës. Ndjenjë krenarie në këtë përballje direkte, vendi i parë dhe rezultate mbreslënëse. Praktikisht tifozët e Tiranës nuk kanë se çfarë të kërkojnë më tepër. /Sport Ekspres/