Superiorja e mbyll vitin kalendarik me një derbi si të jashtëzakonshëm. Kryeqyteti sot është veshur bardheblu, teksa Tirana ka triumfuar me një gol në minutën e 100 në këtë derbi që dukej se nuk do të mbaronte kurrë. Xhixha tund rrjetën që në minutat e para të ndeshjes, por festa shuhet shpejt pasi anësor ngre lart flamurin. Ndërkohë në minutën e 27 ishte Përgjoni ai i cili me kokë e dërgon topin pas shpinës së Teqjas.
Rastet nuk kanë munguar për të të dyja ekipet, ndërsa në pjesën e dytë Xhunior fiton një 11 metërsh në zonën kundërshtare. Juxhin Xhaja nuk ka dyshime dhe sinjalizon menjëherë faull. Por Bekaj tregohet në lartësinë e duhur dhe feston si të kishte shënuar një gol në këtë sfidë. Festë kjo që zgjat pak, pasi arbitri vendos të përsërisë gjithçka. Vendim ky që nuk është pritur mirë nga tifozët e Tiranës, që kanë hedhur sende në fushë dhe kanë detyruar Xhajën të ndërpresë ndeshjen për të dytën herë, pas atij momenti në minutat e para kur u hodhën flakadanë në tapetin e “Air Albania”-s. Pas disa minutave Xhunior pozicionohet sërish përballë Bekajt, por këtë herë me një ekzekutim në stilin “Zhorzhinjo” ia del ta fitojë duelin.
Gjyqtari i katërt akordon plot 11 minuta shtesë dhe derbi dukej se nuk do të mbaronte kurrë. Por Tirana nuk e kishte thënë ende fjalën e fundit. Kur kronometri shënonte minutën e 100, Redon Xhixha shtyn topin në rrjetë për herë të dytë dhe i jep fitoren bardhebluve, duke e mbyllur kështu këtë derbi me dramës dhe emocioneve të mëdha. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Gol pas goli“ në “Supersport“.
Xhixha (Tirana): “Bindjen nuk e kisha se do vendosja derbin, pasi kishte pak minuta lojë, por jam shumë i gëzuar që shënova dhe fituam. Më vjen mirë që i ka dalë fjala trajnerit. Te Laçi kisha një sezon shumë të mirë me Nëabuezen dhe Tecon, ishim një treshe shumë e mirë, shënova 12 gola. Këtë vit e kam nisur mirë, ndihem mirë me Seferin dhe Ngoo, shpresoj të vazhdoj kështu.
Mirë që u bë kështu, pasi të shijon më shumë fitorja në fund. Profesori më tha: ke shënuar si haj.dut mes mbrojtësve të Partizanit. Jam shumë i lumtur që shënuam.Shënjestrën duhet ta kalibroj, pasi kam humbur shumë raste. Gjumsi më dha super top dhe shënova golin. 50% e golit ishte merita e Gjumsit. Emocionet i kam akoma, ishin prezent dhe janë akoma. Premio? Kemi, por nuk na e kanë treguar shifrën. Nuk e di, por do i marrim nesër. Nuk jemi të gjithë si Osmani, ai është drejtor tani”.
Daja (Partizani): “Pësojmë gola jashtëzakonisht të lehtë. Aty ku ishim në momentin më të mirë, sepse barazuam rezultatin. Menduam që të rrezikonim më shumë, por që të pësoj gol në atë lloj mënyrë, pa i hequr meritën kundërshtarit, tre lojtarët nuk mbyllin portën. Tentuam ta fitonim ndeshjen, por ky është futbolli. Me një mbyllje më të mirë të lojtarëve mund të kishim dalë ndyshe nga ky derbi. Të gjithë bashkë kemi përgjegjësi për këtë krizë rezultatesh. Të krijosh raste para porte dhe të marrësh gola të tillë sigurisht që duhet të reflektojmë të gjithë, që nga unë i pari. Nëse i rikthehemi të gjithë sezonit shohim që ekipi prodhon lojë, por që na mungojnë shumë pikë në bazë të asaj që kemi paraqitur. Jemi në një pozicion mjaft të mirë. Por gjithsesi do ulemi edhe me drejtuesit e klubit se çfarë do bëjmë për të ardhmen.
Përveç tre ndërrimeve që bëmë lojtarët e tjerë në stol janë të ekipit U19 të Partizanit. Me gjithë kontigjentin e cunguar , me dëmtimin e Muratajt dje në stërvitje, me gjysmën e ekipit që kishim tentuam të bënim diçka më shumë. Ajo që na dhemb më shumë është që ne golat i marrim në mënyrë shumë të lehtë. Do bëjmë një analizë të detajuar për të parë ku janë gabimet. Do flas me drejtuesit e klubit për të ardhmen, qoftë timen, qoftë edhe të kontigjentit. Në këtë situatë të vështirë që jemi sigurisht që njëri duhet ta marri përgjegjësinë, ose disa ta marrin përgjegjësinë. Ose e marr unë përgjegjësinë për të gjithë ata gola të pësuar lehtësisht. Ai që e merr përgjegjësinë më të madhe në këtë rast është trajneri për të gjitha ato që kanë ndodhur deri në këto momente“.
Shehi (Tirana): “Ishte një ndeshje e rëndësishme, morëm tre pikët. Lojtarët nuk më bënë mua dhuratë. Mua më bënë surprizën në fillim të javës, por dhuratën ua bënë tifozëve. Sigurisht që jemi të lumtur, më vjen mirë që kemi bërë të lumtur tifozët tanë, ata që ishin në stadium dhe ata që nuk ishin. Unë mendoj që jemi shprehur mirë, kemi qenë gjithmonë në krye, skuadra është shprehur mirë. Jemi meritë këtu, të vazhdojmë me këtë mentalitet dhe këtë ritëm. Skuadra është e fortë dhe solide, por kemi gjëra për të rregulluar, pasi nuk jemi perfekte. Kjo është ndeshja më emocionuese, për shkak të derbit, për shkak të mënyrës se si erdhi loja dhe pozicionit që kemi.
Reagimi te përsëritja e penalltisë? I thashë gjyqtarit: me standard Champions League e mbajte këtë? Më tha që është future Hoxhallari në zonë. Më pas i kërkova falje. Kur shkon në një klub të madh si Tirana, ka njerëz që janë pro dhe të tjerë që janë skeptikë. Ndoshta ka ardhur prej faktit që karriera ime si trajner nuk është e gjatë. Dëgjoj shumë fjalë, por nuk ndikohem fare, madje më motivojnë për të vazhduar punën. Doja t’u tregoja njerëzve që edhe unë bëj për Tiranën. Kisha besim se Xhixha do të shënonte sot. E falënderoj atë dhe Pergjonin. Kisha besim se Xhixha do të ishte njeriu i ndeshjes. I thaëshë në pushim: do e shënosh ti golin e fitores! Humbi të gjithë rastet, rëndësi ka që për mua del përpara portës…
Toli? I kam thënë që të rrinte afër dy qendërmbrojtësve, që të ishte diga përpara mbrojtjes. Gabuam në disa momente në vajtjen në presing, pasi kishim pak kohë për ta përgatitur ndeshjen, sepse nuk e dinim si do luante kundërshtari. Toli e bëri shumë mirë detyrën e tij“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/