Në ndeshjen mes Kukësit dhe Laçit kanë festuar dy skuadra në fundin e takimit, kurbinasit dhe Tirana. Verilindorët hynë me vonesë në fushën e lojës teksa Guindo realizoi dy gola në vetëm tre minuta. Fillimisht me gabimin e mbrojtësave të Kukësit dhe më pas me shërbimin e bukur të shokut të skuadrës, atje ku Guindo nuk mund të gabonte.
Me një avantazh 0-2 që në minutat e para, Laçi e kishte më të lehtë për të menaxhuar ndeshjen dhe u kthye e gjitha mbrapa. Kukësi e kishte të vështirë që të gjente hapësirat, ndërsa goli i anuluar i Lulaj në fundin e pjesës së parë kishte shumë polemika.
Meta ishte i sigurt se në zonë kishte faull dhe pas rishikimit të pamjeve, i qëndroi vendimit për anulimin e golit. Minutat e fundit janë bërë dramatike teksa Hila gaboi penalltinë në të 90 duke goditur traversën, pa arritur të barazonte rezultatin. Kështu Laçi afrohet më tepër me Mirel Josën në vendet e para, ndërsa Tirana feston për shkëputjen me katër pikë nga Kukësi. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Supersport” pas ndeshjes:
Mirel Josa: “Nuk kam festuar si sot kur isha te Tirana se atëherë ka pasur ekip të mirë dhe unë isha më i qetë, por ka pasur edhe dy tre raste atëherë. Për mua është shumë e rëndësishme ajo që kam parë në 10 minutat e fundit. Djemtë po luftonin dhe po mbronin njëri-tjetrin, kjo ka rëndësi të madhe. Duhet të bënim më tepër në sulm kur u ngushtua rezultati për t’i thënë Kukësit se duhej të kishte kujdes dhe të mos hidhej i gjithi në sulm. Tirana po kryeson me meritë, ka problemet e saj dhe do ta shohim me qetësi në vazhdimësi. Kemi deri të martën kohë që të rikuperohemi. Të mendojmë për Tiranën që sot dhe jo të festojmë për Kukësin”.