Nga njëri derbi në tjetrin. Dinamo kalon në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë dhe përballë do të ketë Partizanin e Ilir Dajës. Tirana arriti të shënonte dy gola përgjatë lojës, fillimisht me anë të Gjumsit në pjesën e parë, ndërsa në të 78-n Limaj tregohet i saktë nga 11 metrat dhe e dërgon sfidën në shtesa.
30 minutat e kohës shtesë nuk do të rezervonin më tepër gola dhe ndeshja duhet të vendoset nga “ruleta ruse“ e penalltive. Një maratonë e vërtetë 11-metrash është nevojitur për të përcaktuar fituesit, teksa portierët kanë qenë në formë të jashtëzakonshme duke u thënë disa herë “jo“ rivalëve. Megjithatë në fund ishte Bakaj ai që rezultoi më i saktë mes shtyllave, duke bërë heroin për Dinamon dhe duke e kualifikuar në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë, ku e pret sërish një tjetër derbi. Më poshtë mund të gjeni edhe intervistat e protagonistëve për “Gol pas Goli“ në “Supersport”.
Shehi (Tirana): “Jam krenar për atë që dhanë çunat në fushën e lojës. Kemi ardhur në disavantazh 2-0 dhe e kemi barazuar. Mund edhe të kalonim në avantazh në pjesën e dytë apo edhe gjatë shtesës. I tillë është futbolli. Mendoj që kemi bërë maksimumin. Kemi përmbysur ndeshjen. E rëndësishme është të dalim para portës, të krijojmë raste, të jemi dominantë. E bëmë këtë sot. Mund të ketë edhe ndonjë gabim të vogël. Penalltitë janë çështje fati. Të thuash ka diçka për të përmirësuar apo jo më duket e habitshme. Pas një kalvari të gjatë gjuajtjesh njëri do ta humbte. I thashë edhe çunave që ne deri këtu bëmë maksimumin tonë, pastaj është çështje fati. “.
Shkëmbi (Dinamo): “I përgëzoj lojtarët për kualifikimin, por jo për lojën. Për lojën kam rezerva. Eliminuam ekipin më të mirë. Edhe Tirana nuk është se na rrezikoi shumë. Golat erdhën prej gabimieve individuale. Pjesa e dytë me sa pashë ishte një problem psikologjik më shumë. Na duhej shumë ky kualifikim. E dinim që do të ishte shumë i vështirë. Nga ana psikologjike do na rekuperojë mjaft. Por ndeshjet vijnë shumë shpejt. Me këtë kualifikim do të shkojmë më ndryshe. Pas atij rezultati 2-0 në ndeshjen e parë, menduam të ishim të kujdesshëm”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/