Shqipëria ka arritur që të marrë fitoren kundër Hungarisë në shifrat 1-0 për të mbajtur ende gjallë shpresat për kualifikimin në Botëror. Për herë të parë kemi parë kuqezinjtë që mbajnë të njëjtin ritëm të lojës sulmuese në dy ndeshje radhazi dhe ndaj kundërshtare të nivelit të lartë si Polonia dhe Hungaria. Me dy sulmues dhe dominimin ndaj këtyre rivalëve me raste të krijuara, por humbja me shifrat 4-1 i linte vend kritikave mbi Rejën.
Në Shqipëri mund të gjesh lehtë persona që gjithmonë kërkojnë “të nxijnë” punën e tjetrit, madje duke gjetur edhe të vetme pikën të zezë në një tablo të bardhë. Të gjithë flasin për rezultatin si parësor dhe e kërkojnë me patjetër duke pritur fitore radhazi, ndërsa nga ana tjetër harrojnë se Reja ka marrë një Kombëtare që ka shkuar vetëm njëherë në Europian. Të gjithë flasin për produktivitet të munguar në lojë, por nga ana tjetër harrojmë se Shqipëria e viteve të fundit ka krijuar mesatarisht nga 2 raste për ndeshje duke pritur kundërsulmin, për t’ia “mërzitur” futbollin tifozëve. Megjithëse kur bëhej fjalë për Kombëtaren, na mjaftonte fitorja, sado e shëmtuar të ishte.
Kështu Reja po punon për të ndryshuar mentalitetin te Shqipëria. Në këtë linjë mendimi është trjaneri i njohur në Kosovë, Bylbyl Sokoli. Në prononcimin e dhënë për “Sport Ekspres”, Sokoli flet mes faktesh sesi po e ndryshon Reja këtë Shqipëri. Duket e habitshme sesi një trajner komplimenton italianin, në një kohë që e kundërta është bërë rutinë në vendin tonë.
“Më ka pëlqyer shumë Shqipëria. Të gjithë lojtarët kanë luftuar deri në fund dhe ky angazhim solli fitoren. Për mendimin tim, ishte fitorja më e madhe e Shqipërisë pas asaj ndaj Greqisë dhe Portugalisë. Kështu luhet për Kombëtaren, djemtë meritojnë komplimente. Nëse vazhdohet kështu që të luajnë, mendoj se kualifikimi është i sigurt. Trajneri Reja është i nivelit shumë më të lartë se lojtarët që ka në dispozicion. Kjo frymë që ka sjellë në ekip është për t’u duartrokitur. Reja ka shumë përvojë dhe shumë klube kanë kaluar në duart e tij, nga më të njohurit si Lacio, Torino, Verona. Është shpallur kampion me Kajlarin, Napolin dhe Breshian në Serie B. Thuhet se ka kontribuar edhe në karrierën e Andrea Pirlos. Këto janë arritjet e tij.
Që nga ardhje e Rejës te Shqipëria kemi parë shumë ndryshime. Kombëtarja jonë luan me shumë guxim, nuk i trembet asnjë përfaqësuese dhe për çudi, trajnerin e kemi italian dhe lojën shumë sulmuese. Mesa duket ka arritur që të kontrolloj grupin dhe njëkohësisht ta motivoj për t’i nxjerr maksimumin këtij potencialin. Shqipëria ka shumë ritëm dhe disiplinë. Rezultati më i mirë është fitorja dhe loja e zhvilluar ndaj Hungarisë favorite. Gjatë kësaj kohe Reja ka provuar shumë futbollistë dhe duket se ende nuk e ka stabilizuar përfundimisht gjendjen rreth lojtarëve për një cikël të kualifikueseve. Vërejtja e vetme që kam është se Reja po bën shumë lëvizje me lojtarët dhe ende nuk e kemi të qartë se kush do të luajë në ndeshjen e radhës. Ky trajner ka të njëjtën qasje pavarësisht kundërshtarit, nëse është Polonia apo Hungaria. Për mua është i vetmi trajner në këto 20 vitet e fundit që i ka sjellë këto ndryshime te Shqipëria. E meriton besimin tonë dhe duhet ta mbështesim pasi në Kombëtaren tonë ka sjell GUXIM”, u shpreh Sokoli. /Sport Ekspres/