Nga Klaudio Ndreca
Shqipëria U-21 humbi në shifrat 4-0 ndaj Çekisë në transfertë, por ky rezultat nuk mund të quhet surprizues. Arsyeja? Fillimisht Bushi kishte mungesa të rëndësishme nga ndeshja e fundit që fitoi ndaj Andorrës, me Brojën dhe Dobrën që e bënin dukshëm sulmin tonë më të vakët. Por e dyta dhe jo nga rëndësia, ndeshja ishte “e padrejtë”.
Ishte njësoj si në nisje të takimit të marrësh topin dhe ta futësh dy herë në rrjetën tënde, për t’i thënë më pas kundërshtarit: “Vazhdojmë tani”. Sigurisht, një gjë të tillë nuk guxon ta bëjë as Brazili, jo më Shqipëria. Kështu ndodhi me portierin tonë Alia që në 13 minutat e para bëri dy gafa të denja për futbollin amator duke i falur dy gola kundërshtarit.
Portieri i rritur tek Lacio e kthen veten si babagjyshi i vitit të ri dhe ndan dhuratat para kohe. Nga ana tjetër, në fushën e lojës kishim dy talentet e mëdhenj nga të cilët presim shumë dhe njëkohësisht dy të padëshiruarit e Rejës. Mario Mitaj që ka shkruar historinë te AEK për moshën që ka dhe aktivizimin me ekipin e parë, por edhe Ernest Muçi i Legias së Varshavës, teksa do të uleshin në tribunë ndaj Polonisë.
Arsyeja? Kurrë nuk u tha gjithçka hapur, por me siguri që djelmoshat e kanë marrë pak me marsh të lehtë në stërvitje. Reja zgjodhi që t’i dërgonte te Shpresat U-21 pasi nuk kishte ndërmend t’i përdorte në këtë moment kur faza e kualifikueseve është delikate, duke i dhënë një mësim për herën tjetër dhe njëkohësisht për të ndihmuar Kombëtaren U-21.
E teksa pritej që diferenca të vinte prej tyre, më veçanërisht nga Ernest Muçi që duhej të shkëlqente në fazën sulmuese për të zbehur Brojën dhe Dobrën, ndodhi e kundërta. Me siguri që Muçi ka treguar më shumë grintë dhe dëshirë në stërvitje me Legian sesa dje duke përfaqësuar Shqipërinë U-21. Në ato pak dalje sulmuese që kishim në dispozicion me shifrat dhe anën psikologjike që nuk ishte në favorin tonë, Muçi kërkonte të quhej “Ernest Mesi”.
Mbajtje e tepruar e topit dhe shpërdorime të pastra të aksioneve që mund të rezultonin kërcënuese për Çekinë. Jemi vetëm në nisje të këtij sezoni të ri, por në aspektin fizik Muçi dukej sikur të ishim në javët e fundit para afrimit të verës. Kjo e thënë në rastin më të mirë, për të mos akuzuar për mungesë dëshire. Por më mirë nuk bënë në fushë as Mario Mitaj. Kur rezultati ishte 3-0 dhe vetëm vendasit po qarkullonin topin për të rrezikuar portën e Aliaj, mbrojtësi i AEK gjen zgjidhjen sesi të dali nga fusha para kohe dhe të mos lodhet së vrapuari për ndeshjen me histori të mbyllur.
Një karton i marrë në minutën e 64 dhe një tjetër në të 71. Ky i fundit ishte tërësisht i pakuptimtë dhe më tepër i kërkuar nga vetë Mitaj. Pasi sheh topin që është tërësisht larg tij dhe kundërshtarit, Mitaj shkon për të goditur direkt në këmbë lojtarin e Çekisë (ndiqni videon). E çfarë mund të merrej tjetër në atë rast? Kartoni i dytë i verdhë, kartoni i kuq. I trishtuar? Me siguri jo edhe aq, përderisa ishte vetë lojtari i AEK që e kërkoi një gjë të tillë. Për më tepër që faulli është bërë shumë larg portës, asnjë lidhje me dëshirën për t’i bllokuar kundërshtarit golin e radhës.
Sigurisht, nuk mund të kryqëzojmë një 18-vjeçar, por nga ana tjetër nuk mund t’i lëmë pa i tërhequr veshin. Askush prej këtyre futbollistëve nuk mund të dalë mbi Kombëtaren, pavarësisht cilësive që zotërojnë. Askush prej tyre nuk mund ta quajë si “ulje në gradë” në momentin kur vjen për të përfaqësuar Shqipërinë U-21, pasi e cilësojnë veten vetëm për ekipin e parë të Shqipërisë. Pikërisht kjo lloj mëndësie e lojtarëve bënë që Shpresat tona të mos marrin rezultatet e duhura në një kohë që shkëndijat i kemi dhënë në atë fitore 1-5 ndaj Austrisë. Padyshim që në ndeshjen e djeshme pritej shumë më tepër nga Ernest Muçi që nëpërmjet cilësive të tij duhej ta ndihmonte mbrojtjen e Shqipërisë të merrte sadopak frymë, për të tërhequr ekipin para.
Por rastet për gol ishin: “34-3” dhe kjo tregon sesa u ndie prania e lojtarit të Legias së Varshavës në fushën e lojës ndaj çekëve të U-21. Me siguri që Mitaj duhet të jetë më i përgjegjshëm dhe të mos kërkojë që të shplodhet para kohe duke lënë shokët e ekipit në fushë, për t’ia shtuar më tepër vuajtjen dhe kilometrat e përshkruara, që të mbulonin edhe hapësirën e tij me sjellje që janë tërësisht të evitueshme. E nëse Shqipëria U-21 nuk i motivon mjaftueshëm dhe konsiderojnë seriozisht vetëm ekipin e parë, atëherë duhet të paraqiten mirë të paktën për veten e tyre. Ernest Muçi do të shprehej në mediat polake vetëm pak ditë më parë se Shqipëria ka brez të artë futbollistësh dhe se do të mbreterojë në Ballkan pas vetëm 5 vitesh. Me siguri që nuk do të ndihet mirë kur do t’i thonë se në ndeshjen që vetë luajti dhe ku duhej të bënte diferencën, humbi 4-0 ndaj Çekisë dhe pa e goditur kurrë portën. Me këtë performancë dhe sjellje, dy futbollistët i japin të drejtë vendimit që mori trajneri Reja. Tashmë edhe kritikët e italianit që i la jashtë këta lojtarë duhet t’i kërkojnë ndjesë. /Sport Ekspres/