“Me këtë skemë duhet Doka në krahun e djathtë”, Luga: Të isha unë trajner, do e nxirrja Brojën nëse gabonte rastin

Ergys Luga ishte i ftuar në emisionin “Sport Zone” që transmetohet në “MCN TV”. Trajneri shqiptar është shprehur se do ta nxirrte menjëherë nga fusha Armando Brojën nëse nuk do të shënonte rastin e golit. Gjithçka lidhet me faktin se Myrto Uzuni gjendej i vetëm dhe do ta shihte veten me topin në zotërim dhe para portierin kundërshtar nëse do të shërbehej nga Broja. Por sulmuesi i Southampton rezultoi heroi i përballjes dhe nuk mund t’i tërhiqet veshi në këtë rast.

“Mendoj se kundërshtari ynë direkt është pikërisht Hungaria. Dominuam ndeshjen. Kundërshtari kishte problemet, që vinte nga një humbje e thellë. Shqipëria e detyroi kundërshtarin të luajë me topa të gjatë. Kam rezerva për lojën në ajër te Shqipëria, duke parë golat e pësuar në Poloni.

Lojtari që spikati ishte Klaus Gjasula në të dyja ndeshjet. Bëri detyrat që i kishte dhënë Reja. Nëse Shqipëria luan me këtë skemë, krahu i djathtë i takon Dokës. Pashë një Uzuni që vendosi jo në pak presion lojtarët hungarezë.

Pika jonë më e fortë dje ishte fakti se Shqipëria e kërkoi me ngulm fitoren. Zëvendësimet bënë mësë miri rolin kyç në fushë, siç ishte edhe hyrja e Laçit. Episodi që ndau ndeshjen ishte goli i Brojës, i cili për mendimin tim mund të kishte pasuar aty.

Broja është një lojtar i ri. Është një lojtar që luan në Premier League dhe besoj se do i japë një frymë sulmuese Premier League skuadrës sonë. Broja nuk është pak, trajneri duhet ta ketë guximin dhe të rrezikojë duke luajtur me lojtarë të rinj.

Ne nuk mund të futemi në idetë e trajnerit, ai është i zoti i punës. Ishte fati i Brojës, që rrezikoi. Nëse do të isha unë trajner, në rast se Broja nuk e shënonte atë rast, siç e futa do e nxirrja, pasi duhet të pasonte, e kishte Uzunin të lirë. Por nëse e shikoja duke shënuar, do e mbyllja gojën”, tha Luga. /Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *