Shqipëria mori një fitore bindëse ditën e sotme kundër Hungarisë, ku vendosi ai gol i Armando Brojës në minutën e 87. Pas përfundimit të ndeshjes, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka dhënë një prononcim për mediat dhe tregon kënaqësinë që ndjen nga rezultati i marrë dhe prania e tifozëve në stadium. Gjithashtu, Duka kthehet pas në duelin me Poloninë, ku thekson se loja e zhvilluar ishte e mirë, ndërsa prej gabimeve të bëra në Varshavë janë nxjerrë leksionet e duhura.
“Jam i kënaqur me gjithçka nga ndeshja e sotme. Jam i kënaqur në radhë të parë me praninë e publikut në shkallët e stadiumit. Pavarësisht se në numër të kufizuar krijuan atmosferë dhe jam shumë i bindur që ndihmuan në motivimin e skuadrës. I lumtur me futbollistët dhe me stafin. Absolutisht i lumtur me rezultatin dhe golin e Armando Brojës. Me mirë se kaq s’mund të ishte.
Një fitore ndaj një kundërshtari që ka qenë “mace e zezë” në historinë e Shqipërisë. Nuk kemi arritur asnjëherë të bëjmë një rezultat pozitiv kundër Hungarisë. Është historike fitorja e parë kundër Hungarisë, por është e rëndësishme sepse na mban në lojë për dy ndeshjet jashtëzakonisht shumë të rëndësishme të tetorit.
Padyshim që nuk ka gjë për tu nënvlerësuar për ditën e mërkurë. Tre pikët vlejnë njësoj si në çdo ndeshje tjetër. Nuk duhet të jemi shumë euforik. Të marrim tre pikët të mërkurën dhe të luftojmë në dy ndeshjet në Hungari dhe me Poloninë në shtëpi.
Nuk është çdo gjë për tu harruar ndaj Polonisë. Ne zhvilluam një ndeshje të mirë. Ekipi krijoi, madje mbajtjen e topit e kishte më shumë se Polonia. Ne goditëm 16 herë shënuam njëherë, Polonia goditi 6 herë dhe shënoi 4 herë. Kishte edhe ndihmën e “Zotit”, apo të arbitrit, i cili për mendimin tim bëri gabime shumë të rënda.
Padyshim që ekipi dhe stafi nxorrë mësimet e veta. Nuk mund të bëhen ato gabime në goditje standarde për të pësuar ato lloj golash. Besoj se sot i kishin korrigjuar. Nëse do jemi në të njëjtin nivel lojë si në Poloni, si sot ndaj Hungarisë unë besoj se kemi të ardhme të mirë”, ka deklaruar Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/