“Meqë ka merak Shqipërinë…”, babai i Kumbullës i ashpër me Vatën: Djali im la Italinë, po i yti për kë Kombëtare luan?

Marash Kumbulla humbi duelin e rëndësishëm me Robert Levandovskin dy ditë më parë, duke sjellë edhe golin e tretë për polakët. Mbrojtësi shqiptar është kritikuar gjatë pas ndeshjes, ndërsa një prej atyre që drejton gishtin për të fajësuar 21-vjeçarin është edhe Rudi Vata. Por menjëherë ka ardhur edhe kundërpërgjigja nga Nikolini, babai i Marashit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Nikolin Kumbulla i kthehet ashpër ish-kapitenit të Shqipërisë, duke i kujtuar faktin se djali i tij nuk ka zgjedhur të veshë fanellën e Kombëtares kuqezi.

“Së pari, duhet ta shohim rastin me kujdes, sepse ka pasur faull para se të përfundonte aksioni. Por përtej kësaj, nuk mundet që ta trajtosh kështu një djalë të ri, aq më tepër kur ke qenë vetë futbollist. Dakord, Rudi ka qenë futbollist i rëndësishëm dikur, por gjithçka ka edhe një moshë. Marashi është ende i ri dhe mund të gabojë, por Vata të mos bëjë sikur ka qenë perfekt vetë. Ky (Vata) që i kritikon të gjithë pa përjashtim çfarë është…?! Po i them diçka meqë e ka merak Shqipërinë…

Djali im kishte mundësi që të luante edhe me Italinë, por zgjodhi Shqipërinë. Po djali i Rudi Vatës me cilën Kombëtare luan? Po ta donte kaq shumë Shqipërinë Vata e kishte sjellë të birin të luante kuqezi, jo zgjidhte kombëtare tjetër. Kaq kam për t’i thënë Rudi Vatës”, ishin fjalët e thëna nga Nikolin Kumbulla./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *