VIDEO/ Kush është Nedim Bajrami? “Thesari i Shqipërisë”, shtangu Gatuzon me dy super gola dhe ishte gati të refuzonte Zvicrën A

Nedim Bajrami! Futbollisti në fjalë është risia më e madhe e listës së Rejës për ndeshjet e shtatorit sa i përket kualifikueseve të Botërorit. Nëse ky lojtar iu bashkua organikës së kuqezinjëve, merita e madhe i takon FSHF. Në bazë të rregullave që ishin vendosur nga FIFA ishte thuajse e pamundur që Bajrami t’i bashkohej Shqipërisë.

Por pavarësisht rregullave të shkelura, FSHF u paraqit në mënyrë dinjitoze në CAS dhe rreshtoi provat e saj duke bërë realitet dëshirën e tifozëve shqiptarë për ta parë Bajramin me fanellën e kuqezinjëve. Me padurim po e priste këtë mundësi edhe vetë lojtari që mërziti drejtuesit e Zvicrës me vendimin e tij për t’iu bashkuar Shqipërisë.

Te helvetët e provuan me të gjitha mënyrat që të bindnin Bajramin që të rikthehej në ngjyrat e Kombëtares së tyre, por lojtari ishe i qartë në fjalët e tij: “Kemi biseduar me trajnerin e Zvicrës U-21, por më shumë e kam ndarë mendjen, e kam dëgjuar zemrën dhe u thashë për Shqipërinë. Edhe po të vinte Zvicra A, unë isha i vendosur të luaja për Shqipërinë.

Kam pasur kohë dhe kam menduar, por besoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë që kam shkuar te Shqipëria, sepse në fund të fundit e ndiej veten shqiptar. Kam bërë hapin e duhur dhe është hap i madh për mua. Jam i ri dhe jam krenar që do ta kem mundësinë të luaj për Shqipërinë. Niveli i Shqipërisë është rritur”, do të shprehej disa kohë më parë Bajrami.

Por çfarë do t’i ofrojë ky futbollist më tepër organikës së Rejës? Në mesfushën e muskujve të shumtë, 22-vjeçari ka inteligjencën e nevojshme, saktësinë në kontrollin e topit dhe goditjet “vra.stare” për kundërshtarin. Pra, ishte tipi i profilit që na mungonte te Kombëtarja. Në ndeshjen e sezonit të kaluar për Kupën e Italisë, Bajrami ka shtangur trajnerin Gatuzo në atë fitore me vështirësi të Napolit në shifrat 3-2 me Empolin.

Të dy golat e Empolit erdhën nga mesfushori shqiptar me të njëjtën skemë: “Goditje nga distanca, shtyllë dhe topi përfundon në rrjetë”. E pamundur për portierin që të reagonte, ndërsa frika mbizotëronte në pankinën e Gatuzos për një eliminim të mundshëm. Gola të tillë janë preferenca kryesore e Bajramit. “Ka shumë talent. Lexon mirë ndeshjen, kontrollon mirë topin dhe goditje fantastike. Ky futbollist bën diferencën”, do të shprehej Rrahmani pas ndeshjes.

Në ndeshjen e parë të Serisë A që ka zhvilluar kundër Lacios, futbollisti ishte protagonist në golin e vetëm të Empolit duke përshkruar një pjesë të konsiderueshme të fushës me topin në zotërim për t’i dhënë asistin shokut të skuadrës. Ndërkohë në minutat e fundit të takimit Bajrami prodhoi goditjen e tij të zakonshme që kaloi Reinën, por u ndal vetëm nga traversa. Lojtari shqiptar ishte po aq i vlefshëm edhe në përballjen ndaj Juventusit ku krijoi vazhdimësinë e aksionit të golit dhe nuk ngurroi për të goditur portën kundërshtare, nga ku do të vinte goli i parë dhe i vetëm. Quhet “xhevahiri” i Empolit, tanimë është edhe “thesari i Shqipërisë”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *