LAJME TË FUNDIT/ Guardiola flet për afrimin e Kristiano Ronaldos, Klop “e thumbon” dhe Solskjaer e pret e Manchester United

Pas lëvizjes së Mesit, kjo merkato e verës do të njoh edhe transferimin e bujshëm të Kristiano Ronaldos. Sulmuesi portugez është larguar zyrtarisht nga Juventusi dhe është duke pritur ofertën më të mirë që do t’i ofrohet për të vendosur rreth së ardhmes. Në orët e fundit ka hyrë seriozisht në garë për të transferuar portugezin edhe Manchester United. Ndërkohë në Angli kanë nisur edhe deklaratat e trajnerëve në këto momente, mbi lëvizjen e Ronaldos. I pyetur nga gazetarët për afrimin te Manchester City, Guardiola është shprehur: “Në tre apo katër ditë, mund të ndodh gjithçka. Ronaldo ka për të vendosur se ku do të luajë. Vjen te Manchester City? Janë edhe shumë gjëra për t’u mbyllur, jemi ende larg”.

E si për të ironizuar disi Guardiolën me lojtarët që po i vendosen në dispozicion nga sheikët ka menduar Klop. Ky i fundit lë të kuptohet se trajneri i Manchester City mendon vetëm për suksesin e fituar me paratë e pronarëve të klubit dhe nuk bën gjetje për të ardhmen. “Kristiano Ronaldo te Manchester City? Po i kam parë lajmet si një mbështetës i futbollit, si një tifoz. Le ta shohim. Nëse klube të caktuara duan që të bëjnë marrëveshje të tilla, nuk është biznes që i përket të ardhmes. Është për suksesin e tanishëm, të menjëhershëm madje. Disa klube punojnë në këtë mënyrë”.

Ndërkohë Solskjaer ka konfirmuar futjen në garë të Manchester United për të marrë shërbimet e portugezit. “Kristiano është legjendë në këtë klub, ka qenë lojtari më i madh i të gjitha kohërave po të më pyesni mua. Do të shohim se çfarë do të ndodhi. Kemi pasur komunikim të mirë dhe të vazhdueshëm. Bruno Fernandes po flet me të. Ronaldo e di se ne jemi këtu për ta pritur”, mbylli Solskjaer. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *