Sebino Plaku ishte padyshim heroi i Teutës në përmbysjen e realizuar kundër kampionëve të Andorrës. Durrsakët fituan me shifrat 0-3 me Inter Escaldes, ku dy golat që e dërguan takimin në shtesë mbanin firmën e sulmuesit 36-vjeçar. Në një intervistë të dhënë për faqen zyrtare të klubit, Plaku tregon ndjesitë e tij në lidhje me golat dhe kualifikimin e arritur në Ligën e Konferencës.
Sebino, dy gola me shije kualifikimi çfarë ndjesie ishte per ju?
“Ndjesi fantastike, pasi kemi kaluar dy ekstreme të kundërta ndjesish. Mbas titutllit kampion u hap rruga e Europës, ishim në qiellin e shtatë dhe vijnë këto ndeshje që na kthejnë gjithë entuziazmin mbrapsht. Të them të drejtën i kam kaluar këto momente dhe kam kuptuar që futbolli është i tillë: të ngre në qiell dhe të ul në tokë. Duhet të jesh gjithmonë i kujdesshëm dhe i “përulur” karshi tij, t’i bësh detyrat e tua dhe të presësh momentin tend”.
Ku qëndron sekreti te kjo përmbysje e madhe?
“Në Andorra ishte gjithçka ndryshe nga ndeshja e parë duke filluar që nga lojtarët të cilët luanin në formacion, për të vazhduar me entuziazmin dhe besimin që do e kthenim këtë rezultat. Gjithashtu iu vu rëndësia që duhej kësaj ndeshjeje e këtij ekipi dhe shumë të tjera që s’mundem t’i them për efekt kohe“.
Ke një dedikim për golat?
“Golat ua dedikoj shokëve të ekipit, pasi janë ata që më kanë mbështetur në çdo moment dhe kanë besuar tek unë gjithmonë“.
Kundërshtari i radhës Shamrock Rovers, si e shihni?
“Sot është momenti të festojmë këtë sukses të jashtëzakonshëm. Më pas do të mendojmë për Roveres, por synimi ynë është të shkojmë sa më larg në këtë kompeticion”, ka deklaruar Sebino Plaku./Halit Delibashi-Sport Ekspres/