Situata me Rei Manajn te Barcelona është më shumë se e çuditshme. Pasi u shpall golashënuesi më i mirë i katalanasve në ekipin B, për sulmuesin nuk kishte treg në merkato. Sigurisht që vëmendja është e jashtëzakonshme nëse bëhet fjalë për golashënuesin më të mirë të Barcelonës B, por mosha më e madhe e Reit dhe vetë CV e tij që njeh shumë klube brenda pak kohësh nuk kanë bindur skuadrat e tjera që të propozojnë marrëveshje për të.
Barcelona e ftoi së bashku me shumë lojtarë të rinjë që të debutonte kundër Gimnastica. I gjithë qëllimi ishte që Manajn të paraqitej mirë për t’iu rritur më tepër vlera. Por futbollisti i Shqipërisë i surprizoi të gjithë duke qenë ylli i Barcelonës A me tre golat e realizuara. Koeman dhe Laporta nisin të mendonin më tepër rreth futbollistit në fjalë, ndërsa trajneri i katalanasve e sfidoi duke e aktivizuar si titullar me Gironan.
Rei Manaj i është përgjigjur sërish në mënyrën më të mirë pasi shënoi në minutën e 24. Për fatin e keq sulmuesi u dëmtua dhe la fushën pa u mbyllur pjesa e parë. Megjithatë statistikat janë të frikshme pasi ka arritur të shënojë 4 gola në 2 ndeshje(jo të plota) me Barcelonën, ku mesatarisht realizon 1 gol për 17 minuta. Zhvillime të reja vijnë nga Spanja, ndërsa ‘Fichajes” raporton se trajneri i Barcelonës i ka kërkuar Laportas që të mos shitet Rei Manaj. Gjuha e shifrave po ndryshon planet te katalanasit që ndihen të detyruar për t’i dhënë mundësinë e merituar lojtarit shqiptar.
“Një nga zbulimet pozitive që Koeman ka nxjerrë është performanca e Rey Manaj, i cili e ka kënaqur atë si sulmues si për zhvillimin e tij brenda idesë së ekipit ashtu edhe për aftësinë e tij për të prodhuar gola (4 gola në 2 ndeshje). Kjo performancë ka ndryshuar perspektivën e trajnerit holandez dhe ai dëshiron që Manaj të qëndrojë në ekipin e parë për sezonin e ardhshëm, duke përfituar nga fakti se është një variant që mund të fitojë minuta në momente të veçanta, pasi emra të tillë si Antoine Griezmann, Philippe Coutinho, Martin Braithëaite po largohen.
Klubi ishte i interesuar të fitonte para me sulmuesin shqiptar në këtë treg transferimesh, por performanca e tij e detyroi klubin ta rimendojë atë, duke shtuar se Manaj pësoi një dëmtim në miqësoren kundër Girona, gjë që mund ta komplikojë largimin e tij në afat të shkurtër.
Rey Manaj është një qendër sulmues me lëvizshmëri të mirë dhe që dominon shumë mirë zonën. Ai di të parashikojë rivalët dhe të përcaktojë në prekjen e parë të topit, një profil shumë i ngjashëm me atë të Sergio Agüero. Por, nëse konfirmohen largimet e sipërpërmendura, shqiptari mund të mbetet si një zëvendësim për argjentinasin, i cili ka luftuar me dëmtime në sezonet e fundit me Manchester City”, shkruhet në artikull. /Sport Ekspres/