“Ky “lushnjari” që do luante me Barcelonën”! Historia e mentalitetit të vjetër shqiptar, golat e Rei Manajt ishin “shuplaka të forta” edhe për ne

Nga Klaudio Ndreca

Nëse bëhet fjalë për të dhënë një dorë, me siguri që në vendin tonë janë të pakta vendet dhe personat se ku duhet të drejtohesh. Por nëse bëhet fjalë për të fundosur, mjafton që të tregosh problemin tënd me personin e parë që takon në rrugë dhe misioni kryhet me sukses. E përshkruar në fjalë më thjeshta, ky është mentaliteti i vendit ku ne jetojmë, Shqipërisë tonë. Shpeshherë me ndjenjën e inferioritetit deri në masën ekstreme, për t’i bërë edhe të huajt më të paaftë si “Zot” dhe krijues të gjithçkaje vetëm për shkakun e origjinës së tyre.

Kjo është panorama e ofruar edhe në futboll. Lajmi i ditës së sotme ishte shënimi i tre golave nga Rei Manaj me Barcelonën A që drejtohet nga Koeman. Këto fjalë mund të kalohen rastësisht, por gjithmonë duhet të kujtojmë se bëhet fjalë për fanellën me peshë të katalanasve. Më herët lojtarët shqiptar vetëm sa mund ta ëndërronin, ndërsa Rei shënon tre gola në debutim. Teksa po pritej zyrtarizimi i sulmuesit në aventurën e re te Famalicao, komentet te tifozët shqiptar në të shumtat e rasteve ishin të tipit: “Ky “lushnjari” që do të luante me Barcelonën, skarco, shikoni se ku po shkon tani”.

Papritur po sërish i njëjti lojtar arrin që të fitoi gjithë vëmendjen e mediave spanjolle dhe të bëjë Barcelonën që të flasë shqip. “Manaj ishte mbreti”, ishte titulli i vendosur nga AS, ndërsa në rrjetet sociale po konsiderohet si lojtari më i nënvlerësuar nga Barcelona deri tani. Por sërish me natyrën tonë mosbesuese, do të gjejmë arsyetime të ndryshme për të mbërritur te teza e ngritur më herët dhe për të mbrojtur atë deri në pikën e fundit.

Në momentin kur Manaj u grumbullua për miqësoren e sotme, reagimi ishte po kaq skeptik duke mos e cilësuar si arritje pasi Barcelona kishte marrë shumë lojtarë nga akademia dhe jo vetëm sulmuesin shqiptar. Me siguri që arsyetimet do të vazhdojnë me idenë se po luhej vetëm në një miqësore, se niveli i ekipit kundërshtar linte për të dëshiruar dhe bëhej fjalë vetëm për Gimnastic apo se 2 nga 3 golat e realizuara mund të shënoheshin nga kushdo tjetër.

Por edhe skeptikët më të mëdhenj nuk mund të mohojnë super golin e realizuar nga Manaj që tronditi shtyllën dhe më pas përshëndeti rrjetën në momentin kur Barcelona po barazonte pa gola ndaj Gimnastic. Situata është e tillë teksa në 4 golat e realizuara nga katalanasit A, 3 prej tyre kanë ardhur nga një futbollist i Kombëtares Shqiptare. Nëse kjo ndodh rëndomtë, padyshim që duhet të analizonim më tepër për mënyrën sesi janë realizuar këto gola dhe pjesën teknike, padyshim që duhet të analizonim forcën e kundërshtarit dhe sigurisht që nuk bëhet fjalë për ndeshje zyrtare.

Vetë futbollisti duhet t’i gëzohet kësaj arritje dhe të shijojë momentin e protagonizmit në futbollin spanjoll, duke mbajtur veshur fanellën që peshon rëndë. Në momentin kur u prezantua te Barcelona B, Manaj nuk u fsheh duke treguar se qëllimi i tij ishte që të kishte një mundësi për t’u provuar me ekipin e parë. Pjesa më e madhe zgjodhën që të qeshnin, ndërsa po të njëjtët kanë mbetur të shtangur pas tripletës në debutim, por sigurisht që duke pritur gabimet e mëvonshme për t’ia lënë gjithçka rastësisë sa i përket performancës së sotme.

“A ju thamë? Është i mbaruar”. Të njohësh vetveten dhe të korrigjosh gabimet e tua është padyshim kura më e mirë në këtë rast për të kuptuar se lojtarët shqiptar kanë nevojë për një dorë dhe mbështetje morale në momentin që marrin hapa të mëdhenj në karrierën e tyre dhe të paprovuara më parë, siç kemi edhe rastin e Armando Brojës te Chelsea. Sepse në fund të fundit, bota u takon guximtarëve. Lushnjari? Po, ia doli në një rast ku ishte ylli i Barcelonës së madhe… /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *