Një ngjarje e shëmtuar vjen nga elita e futbollit në Ganë. Në ndeshjen e fundit të sezonit, Inter Allies ka rënë nga kategoria duke ofruar spektaklin më të keq të mundshëm. Ashanti Gold e ka mundur në shifrat 7-0, ndërsa neveria e ofruar për shikuesit ishte e nivelit më të lartë. Inter Allies kishte pësuar 6 humbje rresht më parë, por nuk kishin marrë vëmendje si në këtë rast. Ndeshja e fundit ishte e trukuar dhe kjo u vu re lehtësisht nga mënyra sesi mbrojtësat toleronin kundërshtarët për të shënuar gol.
Aktrimi i portierit të Inter Allies ishte përsëri një dështim më vete duke ndihmuar rivalët për të shënuar gol. E për të shuar ato pak dyshime që mund të mendojnë se bëhet fjalë për paragjykim, vetë mbrojtësi i Inter Allies, Hamshin Musah, hyri në fushë në pjesën e dytë dhe shënoi dy gola në portën e tij me vetëdije të plotë. Kjo ishte situata absurde e ofruar nga futbolli në Ganë, me autogolat që erdhën në rrethana absurde, ndërsa Federata e Futbollit ka hapur hetim. /Sport Ekspres/