Futbolli ka qenë një sport që ka evoluar përgjatë viteve me ndryshimet e pësuara në rregullat e lojës. Rregulla këto që mund të transformohen sërish në të ardhmen e afërt. Kupa e Ardhmja e Futbollit është projekti i parë pilot që po shërben si një test për rregullat e reja, që në fund do të marrin edhe vlerësimin e FIFA-s.
Janë katër ndryshime thelbësore që do të revolucionarizonin tërësisht futbollin që ne njohim sot. Së pari kohëzgjatja nuk do të ishte më 90 minuta, por do të shkurtohej në 2 pjesë me nga 30 minuta. Rivëniet anësore do të ekzekutohen me këmbë dhe jo me duar, ndërsa ndëshkimi me karton të verdhë do e dërgonte lojtarin për një periudhë 5 minutëshe jashtë vijave kufizuese.
Gjithashtu me rregullat e reja kronometri ndalet në momentin që topi del jashtë apo ka ndalesa të ndeshjes. FIFA është duke vlerësuar aplikimin e këtyre rregullave në Kupën e Ardhmja e Futbollit, për të vendosur më pas nëse do të dërgojë një kërkesë zyrtare në Bordin Ndërkombëtar për të ndërhyrë në rregullore./Halit Delibashi-Sport Ekspres/