Kombëtarja e femrave bëhet gati për ndeshjen me Turqinë: Federata investoi, tani ne tentojmë Botërorin

Kombëtarja shqiptare e femrave ka nisur ditën e shtunë grumbullimin në Elbasan, në prag të dy ndeshjeve miqësore që ekipi do të zhvillojë kundër Turqisë, me ndeshjen e parë që do të zhvillohet ditën e hënë në stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 18:00 dhe tre ditë më vonë në stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, në ora 18:00.

Skuadra e drejtuar nga tekniku Armir Grima ka zhvilluar pasditen e së shtunës seancën e parë stërvitore, ku fillimisht, vajzat kuqezi zhvilluan disa ushtrime fizike dhe më pas një lojë brenda grupit, duke i dhënë mundësi trajnerit kuqezi të shohë gjendjen fizike të skuadrës.

Për të folur në lidhje me dy ndeshjet e radhës, FSHF.org zhvilloi intervista me disa nga futbollistet e Kombëtares, të cilat u shprehën se këto dy ndeshje janë një test i rëndësishëm përpara dy sfidave të shtatorit, kundër Kosovës dhe Belgjikës, të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror Australi-Zelandë e Re 2023. Esmeralda Franja tha në prononcimin e saj se ekipi turk është i fortë, por skuadra do të japë maksimumin në fushë.

Gjendja e skuadrës – Mendoj se gjendja e skuadrës është shumë e mirë. Pavarësisht se kampionati ka mbaruar që në maj, mendoj se vajzat janë stërvitur. Lojtaret profesioniste duhen stërvitur vazhdimisht sepse Kombëtarja gjithmonë të thërret të jesh prezente.

Ndeshjet ndaj Turqisë? – Nuk i konsiderojmë miqësore, por janë si ndeshjet e tjera. Pretendojmë të fitojmë, por e rëndësishme është të krijojmë harmoni brenda grupit për ndeshjet në shtator, pasi kjo ka më shumë rëndësi për ne. Normalisht që edhe rezultati është i rëndësishëm.

Turqia? – Çdo skuadër studiohet nga ekipi Kombëtar dhe natyrisht që edhe ne e kemi studiuar. Është një ekip i fortë por ne do të japim maksimumin.

Ndeshjet e shtatorit? -Federata ka investuar shumë në futbollin e femrave dhe natyrisht që ne do japim maksimumin që të kualifikohemi në Botërorin e ardhshëm. Po përgatitemi dita-ditës që të arrijmë rezultatet e dëshiruara.

Arbiona Bajraktari, e cila vjen pas një pauze për shkak të një dëmtimi që e mbajti për disa muaj larg nga fusha e gjelbërt dhe pretendon të jetë ndihmë për skuadrën në këto dy sfida u shpreh se miqësoret do t’i shërbejnë ekipit për të parë elementet e reja në skuadër. Gjithashtu, ajo foli edhe për ndeshjet e shtatorit, kundër Kosovës dhe Belgjikës, ku shpreson që Kombëtarja të marrë pikët maksimale.

Objektivi dhe skuadra – Objektivi ynë është gjithmonë fitorja. Këto dy ndeshje shërbejnë për të parë elementet e reja në skuadër dhe për të parë një paraqitje të mirë të tyre. Gjendja e skuadrës është relativisht e mirë pasi vijmë nga një periudhë pushimi.

Rezultat apo konsolidim i grupit? -Normalisht që pika e parë është që të ketë harmoni dhe të rritet fryma në grup. Është shumë e rëndësishme ardhja e elementeve të reja në skuadër.

Ndeshjet kundër Kosovës e Belgjikës në shtator – Këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme për Kombëtaren. Shpresojmë të marrim pikët maksimale në këto dy ndeshje. Jemi në vazon e katërt. Kemi një rritje shumë të madhe si Kombëtare dhe shpresojmë që t’ia dalim sa më mirë në këto dy ndeshje, pasi jemi të përqendruara maksimalisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *