Përpara finales mes Anglisë dhe Italisë, në emisionin “Sport Magazine” ishte i ftuar edhe Artim Shaqiri. Dikur pjesë e futbollit anglez dhe tanimë duke e parë në këndvështrimin e trajnerit, Shaqiri e cilëson “Premier League” si kampionatin më të fortë që luhet në Europë. Kur flitet për finalen e Europianit, nuk mund të kemi parashikime.
“Për mua Premier League është në vendin e parë, lihen disa vende bosh pastaj vjen La Liga. Pa ofenduar asnjë tifoz dhe asnjë ligë. Nëse flas si tifoz do të them se Anglia fiton. Nëse diskutojmë në anën profesionale, do të jetë shumë e vështirë për të përcaktuar fituesin. Anglia dhe Italia kanë mbërritur me meritë deri këtu. Diferencën? Do ta bëjë mesfusha. Kur fillon Italia me katenacon nuk thyhet”, tha Shaqiri. /Sport Ekspres/