Kombëtarja e Spanjës ka qenë jo pak e kritikuar në këtë turne të Kampionatit Europian si nga tifozët, ashtu edhe nga mediat. Një prej arsyeve ka qenë edhe fakti se si rrallë herë më parë, asnjë lojtar i Realit të Madridit nuk është pjesë e grupit të Luis Enrique-s. Megjithatë në mbrojtje të trajnerit spanjoll del një nga legjendat e “furisë së kuqe“, Xavi Hernandez.
Ish-lojtari i Barcelonës shprehet për “Vamos“ në “Movistar“ se nuk është e lehtë të bësh arritje me Kombëtaren spanjolle, sepse as shtypi nuk është me ta. Madje sipas tij ambienti përreth ndërlikohet edhe më shumë kur një trajner lë jashtë lojtarë të Realit në një përfaqësuese ku mbizotëron mjedisi madrilen.
“Ne gjithashtu e jetojmë atë, mjedisi në Spanjë është shumë kritik. Ka shumë kërkesa dhe është turp, sepse as në shtyp nuk bëhen me ekipin. Është e vështirë dhe kjo është arsyeja pse është më e vështirë në Spanjë për të fituar tituj. Ne e arritëm atë me brezin tone, por nuk është e lehtë.
Ambienti është i komplikuar. Dhe më shumë me një trajner që nuk ka lojtarë të Realit të Madridit, sidomos me mjedisin madrilen që është në Kombëtare. Në fund të fundit ju duhet të pranoni kritikën, ta shmangni pak dhe të përqendroheni në lojë. Ata po bëjnë shumë mirë dhe janë tashmë në çerekfinale”, ka thënë Xavi Hernandez./Halit Delibashi-Sport Ekspres/