Franca, Gjermania dhe Portugalia ishin skuadrat që së bashku me Hungarinë formuan atë që të gjithë e quajtën “grupin e ferrit”. Kundërshtarë të tillë askush nuk do i dëshironte ti kishte përballë dhe majde u hodhën edhe hipotezat se Kombëtaret po bënin llogari për të shmangur rivalë nga grupi F. E megjithatë fusha vërtetoi se nuk mjafton vetëm emri dhe historia për tu quajtur i madh.
Fillmisht u eliminua Portugalia dhe më pas të njëjtën rrugë e ndoqi edhe Franca, që u shtang nga Zvicra mbrëmjen e djeshme. Ndërkohë fatin e tyre e patën edhe “pancerat”, që sot i dhanë fund rrugëtimit në Euro 2020. Gjermania ishte Kombëtarja e fundit nga grupi F që i jep lamtumirën Europianit dhe ai që cilësohej si “grupi i vdekjes” vdes që në fazën e 1/8-ve, pavarësisht se shumë kishin projektuar që fituesi i trofeut do të dilte prej aty./Halit Delibashi-Sport Ekspres/