Gjermania i ka dhënë fund rrugëtimit në Kampionatin Europian. Anglia ka fituar me shifrat 2-0, duke lënë kështu jashtë “pancerat”. Me këtë eliminim mbyllet edhe cikli 15-vjeçar i Joakim Lëv në krye të pankinës gjermane, i cili i hap tashmë rrugën Hansi Flikut. Në konferencën për shtyp pas duelit me Anglinë, Lëv ka treguar se çfarë i mungoi Gjermanisë së tij mbrëmjen e sotme dhe mendimet e para që i erdhën në kokë kur “tre luanët” shënuan.
“Cilësia është atje, por kjo është një fazë nokauti dhe çdo dështim mund të jetë vendimtar. Mbase na ka munguar përvoja në disa situata. Në të gjitha ndeshjet kemi pasur momente që të mos jemi mjaftueshëm efektivë, madje edhe kundër Portugalisë. Ne kemi cilësi, por ka pasur raste kur ne nuk e kemi imponuar lojën tonë dhe me këtë ata mund t’ju penalizojnë dhe t’ju eleminojnë. Sapo ata na shënuan unë e dija se do të ishte shumë e vështirë ta kthenim mbrapsht. Shkova në dhomën e zhveshjes shumë i zhgënjyer. Ne nuk e kemi pasur atë goditje fati në fund për të barazuar ndeshjen”, ka thënë Joakim Lëv./Halit Delibashi-Sport Ekspres/