Çekia ka shokuar ndjekësit e futbollit ditën e sotme, ku përkundër të gjitha parashikimeve ka eleminuar nga Euro 2020 Hollandën. Pavarësisht se skuadra e drejtuar nga De Boer kishte grumbulluar 9 pikë në grupe, ndaj Çekisë nuk arriti për asnjë moment të tregojë superioritetin.
Mbrojtësi i Juventusit, Matia De Ligt u ndëshkua me kartonin e kuq, duke lënë shokët e skuadrës me 10 lojtarë në minutën e 55-të. Duke përfituar nga epërsia numerike, Çekia arriti të shënojë 2 gola dhe të sigurojë një kualifikim historik. Pas përfundim te ndeshjes, De Ligt ka marë përgjegjësi personale, ku dhe ka deklaruar se ishte faji i tij që Hollanda u eleminua nga Euro 2020.
“Natyrisht që ndihem keq. Ne e humbëm ndeshjen për shkak të gabimit që bëra në mbrojtje. Unë duhet të kisha larguar topin. Mendova se kishim ndeshjen nën kontroll. Kishim pak raste, veçanërisht në pjesën e parë. Unë madje nuk kisha ndjesinë që ata krijuan shumë raste. Por kartoni i kuq natyrisht, bëri ndryshimin”, u shpreh De Ligt. /Sport Ekspres/