Antonio Conte është një trajner fitues. Këtë e ka treguar me kampionat e fituar me Juventusin, Çelsin dhe tashmë pret të kurorëzohet kampion dhe me Interin. Kur kanë mbetur vetëm 8 javë nga përfundimi i Serisë A, Interi ka rritur ndjeshëm diferencën me vendin e dytë që mbahet nga Milani. Në një intervistë pas përfundimit të ndeshjes me Cagliarin, tekniku italian u shpreh se entuziazmi është një nga pikat më të forta që ia ka transmetuar dhe gjithë skuadrës së tij.
“Është e detyrueshme nga unë të përgëzoj djemtë e mi, për tre ndeshjet e fituara brenda një jave. Lojtarët e dinë shumë mirë pasionin që kam unë për futbollin dhe mendoj se ta ndaj atë me të tjerët është gjëja më e mirë”,- tha Conte. Edhe pse është vetëm çështje kohësh fitimi i titullit të 19-të kampion në historinë e Interit, Antonio Conte preferon të mbetet me këmbë në tokë.
“Skudeto? E them këtë çdo ndeshje. Janë edhe 8 ndeshje, të cilat nëse nuk i trajtojmë si duhet, mund ta pësojmë. Porta ëshë afër, por që të shënoësh duhet të kalosh vijën. Kam parë shumë atletë që të rrëzohen disa metra përpara vijës së finishit. Duhet të kemi një mentalitet të fortë deri në fund, njësoj siç mbyllëm ndeshjen e sotme”- vazhdoi më tutje tekniku italian.
52 vjeçari njihet edhe për deklaratat e tij mjaft të forta, sidomos kur përmendet shpesh emri i tij. Vitin e kaluar Interi ishte titulli kryesor i gazetave italiane, të cilat akuzonin Conten dhe lojtarët si të paaftë për të konkurruar Juventusin.
“Mendoj se kritikat e tepërta ndaj skuadrës, kanë zgjuar një dëshirë mjaft të madhe tek lojtarët e mi për tu hakmarrë ndaj të gjithëve. E mbani mend? Trajneri që duhet të ndërrohej me patjetër dhe lojtarët që ishin skarco. Futbollistët e mi meritojnë më shumë për atë që po bëjnë. Megjithatë unë dëgjoj dhe lexoj shumë për rrugëtimin tonë të shkurtër në Europë. Ne mendojmë për këtë sezon dhe siç thuhet “Zoti shikon dhe dhuron”, nuk e di ndoshta dikush shpreson për gjëra negative si për Interin, ashtu dhe për mua”- mbylli intervistën Conte. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/