VIDEO/ Mbyllet edhe linja ajrore e Sokol Cikalleshit, por shënon lojtari që e ftoi te Shqipëria

Nga Klaudio Ndreca

Pas bllokimit të fluturimeve në aeroportin e Rinasit, kemi edhe bllokimin e linjës ajrore për Sokol Cikalleshin. Sulmuesi në fjalë erdhi te Kombëtarja te ndeshjet e marsit pasi po kalonte formë mbreslënëse te Koniaspori, atje ku kishte realizuar 5 gola. E veçanta e tyre ishte se të gjitha golat kishin ardhur në lufta në ajër, për të tundur rrjetën me kokë. Por mesa duket kundërshtarët në Turqi e kanë mësuar sesi t’i bllokojnë linjën ajrore lojtarit të Shqipërisë.

Asnjë gol i realizuar me Kombëtaren dhe e njëjta statistikë vlen edhe për tre ndeshjet e fundit që ka luajtur te Koniaspori pas ndeshjeve të kualifikueseve të Botërorit. Fillimisht ndaj Erzurumsporit teksa do të gabonte nga pika e bardhë e penalltisë, për të vazhduar me paraqitjen zhgënjyese kundër Anakarugucu teksa do të zëvendësohej në minutën e 73.

Në ndeshjen e sotme ku Koniaspori humbi në shifrat 3-1 ndaj Sivaspor, Cikalleshi do të mbeste jashtë që me nisjen e pjesës së dytë. Megjithatë goli i vetëm për Koniasporin erdhi nga Zymer Bytyqi, lojtari që sulmuesi e ftoi publikisht te Shqipëria nëpërmjet postimit në “Instagram”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *