Është mbyllur me spektakël java e 26 e Kategorisë Superiore. Tirana ka dhuruar “shou“ kundër Apolonisë, duke i mposhtur thellë 5-2. Një fitore kjo që i dërgon bardheblutë vetëm 5 pikë larg kreut. Ndërkohë në krahun tjetër Skënderbeu ka bërë surprizën kundër Kukësit, duke i marrë një 3 pikët pas triumfit 0-1. Në përfundim të takimeve vetë protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për mikrofonin e “Gol pas goli” në “Supersport”.
Memelli (Skënderbeu): “Ne problemin e kemi me veten dhe kërkojmë ti marrim gjërat hap pas hapi. Raportet nuk kanë qenë të barabarta në mbajtjen e topit, Kukësi e ka mbajtur më tepër topin. Ndërsa sa i përket rasteve, ne kemi pasur më shumë. Një punë shumë të madhe kanë 3 lojtarët e mesit të fushës. Kur janë ata në nëj ditë të mirë edhe gjërat shkojnë më mirë. Ajo që është e rëndësishme është terreni. Kur skuadra ka një terren të mirë, luan mirë. Në Korçë na ka penalizuar pak edhe nga dëbora. Fitoret nuk janë të rëndësishme. Të themi të vërtetën, disniveli i lojtarëve është i madh, por unë gjithmonë jam mbështetur te grupi. Asnjëherë futbolli nuk prodhon rezultate nëse trajneri bazohet te aftësitë individuale. Të mos harrojmë që kjo fitore ka qenë 6 pikë dhe jo 3 pikë, sespe ne vinim nga 4 mungesa të rëndësishme në skuadër. Kampionatin e kemi me veten tonë dhe vetëm me veten tonë”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/