Erling Haland është një nga talentet që ka pushtuar botën e futbollit me aftësitë e tij. Sulmuesi norvegjez është pika kyçe e Borusias së Dortmundit, por Gjermania nuk do të jetë për shumë gjatë destinacioni i tij, sidomos pas interesimit të lartë nga klubet më të mëdha të Europës.
Spanja me siguri do të jetë e ardhmja e “djaloshit magjik” dhe kësaj hipoteze i jep edhe më shumë zë udhëtimi i sotëm i babait të Haland dhe Mino Raiolës. Dyshja ka zbarkuar në Barcelonë mëngjesin e sotëm, ku ka takuar presidentin e katalanasve, Laporta.
Por menjëherë pasi kanë mbaruar takimin i janë drejtuar kryeqytetit spanjoll, atje ku sipas “COPE“ i priste presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez. Kështu, menaxheri i Erlind Haland dhe babai i tij kanë shqyrtuar të dyja pistat që kanë të hapura në La Liga, ndërsa e ardhmja pritet të zbulojë vendimin e marrë nga talenti norvegjez./Halit Delibashi-Sport Ekspres/