Nuk ka rezervuar asnjë surprizë negative kjo mbrëmje për Kombëtaren shqiptare. Kuqezinjtë kanë bërë detyrën duke marrë fitoren në San Marino. Këta të fundit kanë arritur të mbajnë portën të paprekur për 45 minutat e para të takimit, ndërsa pjesën e dytë rezistenca ka marrë fund.
Shqipëria ka dominuar takimin, që në fund e fitoi me shifrat 0-2. Fillimisht ishte Rei Manaj ai që tundi rrjetën në minutën e 62-të, ku pas një harkimi në zonë u tregua i saktë në goditjen e tij me kokë dhe e ndal topin më pas në rrjetë.
Ndërkohë goli i dytë që do të vuloste fatin e takimit erdhi pak minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt, atëherë kur pasi topi kthehet në zonë nga goditja e traversës, Veseli shënjestron portën, ndërsa pranë vijës fatale Myrto Uzuni e shtyn topin drejt rrjetës. Më poshtë gjeni edhe intervistat e protagonistëve për “Supersport”:
Reja: “Ne e kishim për detyrë që të fitonim dhe donim që të fitonim 4-0 dhe 5-0. Por kërkonim fitoren se mund të ketë ndikuar edhe lodhja fizike. Në pjesën e dytë ishim më të mirë dhe me siguri që Roshi dhe Uzuni i dhanë më shumë intensitet sulmit. Provuam lëvizjet vertikale dhe skuadra reagoi, i dha frytet. Mesfusha u përpoq shumë në pjesën e parë, kishte energjinë e duhur, por nuk krijuam shumë raste të rrezikshme. Lenjani dhe Hysaj krijuan shumë raste në krahë dhe janë marrë sot më shumë me sulmin sesa me mbrojtjen. Broja ka hasur vështirësi pasi këto ekipe luajnë mbrapa dhe nuk e linin, është lojtar që ka nevojë për hapësira dhe pastaj bënë gjëra shumë të mira. Sigurisht që shpresoja të bënte diçka më tepër sot, por u ndikua nga stili i lojës i kundërshtarit. Kjo ndeshje më bënë që të reflektoj për të parë skema të tjera pasi kemi shumë vështirësi ndaj kundërshtarëve që mbyllen mbrapa. Nuk i shfaqim dot të gjithë karakteristikat tona në këtë mënyrë. Do të më pëlqente që të shënonim më shumë gola”.
Rei Manaj: “Në pjesën e parë ata qëndronin 7 lojtarë pas topit dhe ishin më të freskët. Pastaj Roshi dhe Uzuni na hapën më shumë hapësira për të shprehur veten që shënuam dy gola. Nuk janë aq të lehta këto ndeshje kundër Andorrës dhe Moldavisë, sa mendojnë njerëzit. Sigurisht që mund të luajmë edhe më mirë ndaj tyre, por kemi fituar. Në “Ëembley” duhet të bëjmë një ndeshje shumë më të mirë se ajo në “Air Albania”.
Myrto Uzuni: “Pjesa e parë nuk ishte e mirë, por fituam besimin në pjesën e dytë. Gjithsesi jemi të kënaqur për fitoren e marrë. Asist dhe gol? Kjo është detyra ime. Egoist në gjuajtjen e Veselit për ta dërguar topin në rrjetë? Sulmuesi duhet të jetë edhe pak egoist dhe mezi e pret topin aty”.