Në vitet e mëparshme Ronaldo fenomeni u kthye jo vetëm ndikues për mënyrën e tij të lojës dhe që shihej si idhull nga të gjithë të tjerët, por u ndoq edhe për modelin e flokëve tërësisht të veçantë. Në Botërorin e vitit 2002, imazhi i Ronaldos “së vërtetë” me pak flokë të lënë afër ballit nuk do të harrohet kurrë.
Tërësisht qesharake, por ky model do të ndiqej nga shumë njerëz në gjithë botën. Por nga i lindi ideja për të bërë një prerje të tillë të flokëve? Vetë Ronaldo Luis Nazario de Lima ka zbuluar se ishte mënyra e vetme për të hequr vëmendjen nga problemet e tij fizike që nuk duhej t’i tregonte para ndeshjes gjysmëfinale me Turqinë.
“Nuk doja që të isha ajo tema kryesore në konferencën për shtyp, për problemet e mia fizike. Kështu që vendosa që të ndërrojë modelin e flokëve dhe të tërheq vëmendjen e gazetarëve. Nuk doja të flisja për dëmtimin tim. Pyeta shokët e mi sesi dukesha dhe të gjithë më thanë: “Je tmerr, priji flokët deri në fund”. Megjithatë funksionoi mënyra ime në konferencë”. Në fund Ronaldo i ka kërkuar me të drejtë ndjesë edhe mamave që kanë parë djemtë e tyre në modelin e çuditshëm të flokëve: “Më vjen keq. I kërkoj falje të gjithë mamave që i kanë parë djemtë e tyre me këtë model flokësh për shkakun tim”. /Sport Ekspres/