“Nuk do e drejtoj asnjëherë Tiranën, do më thonin ‘morri i kuq’”, rrëfimi i Duros: Momenti më i lumtur titulli me Skënderbeu

Shpëtim Duro është një nga trajnerët më të njohur që qarkullojnë në Shqipëri. Ish-futbollisti i Partizanit ka dhënë një intervistë të gjatë në emisionin “Jashtë loje”, ku ka bërë një rrëfim të gjatë të karrierës së tij. Ndër të tjera, trajner i Laçit tregon momentet që i kanë sjellë më shumë lumturi në krye të pankinës, ndërsa më pas ndalet te aventura e tij te Partizani. Duro nuk e ka fshehur asnjëherë dashurinë e tij për “demat e kuq”, arsye kjo që e shtyn të mos pranojë asnjëherë të drejtojë Tiranën.

“Një moment që jam gëzuar shumë patjetër është titulli kampion me Skënderbeun në 2011-n. Për asrye sepse Skënderbeu nuk kishte histori, kishte 70 vjet që nuk ishte shpallur kampion. Edhe në periudhën kur luanim ne dhe më mbrapa kishte pasur shumë oshilacione. Jam gëzuar shumë një vit më parë kur kam fituar Kupën, Superkupën dhe nënkampion me Besën e Kavajës. Edhe kjo një skuadër që nuk kishte fituar trofe. Këto janë gjëra të veçanta, sepse të jesh trajner me skuadra si Partizani e Tirana, që janë skuadra që janë mësuar të fitojnë trofe dhe puna është më e lehtë.

Viti 2014-2015 ishte viti i dytë i Gazmend Demit. Ishte skuadër shumë e fortë. Ai kampionat ka qenë jashtëzakonisht i fortë. Imagjino, atë vit Tirana, që ishte  një super skuadër, nuk arriti të shkojë në Kupat e Europës. Por ajo bukuri që mbahet mend atë vit kanë qenë derbet. Sepse në 4 derbi Tirana nuk fitoi asnjëherë dhe filloi cikli pozitiv në ndeshjet me Tiranën. Stadiumi plot e përplotë, shikoja tifozët e Partizanit të organizoheshin në stadium. Kur humbej derbi të gjitha fajet i ka trajneri. Kur fitojnë, fitojnë të gjithë. Sidomos në ndeshje të tilla, që hanë edhe koka trajnerësh.

Tirana është ndoshta e vetmja skuadër që nuk kam drejtuar. Jo zyrtare, por ka pasur dëshirë nga njerëz të veçantë dhe drejtues të klubit. Por unë e kam thënë publikisht edhe para ca vitesh. Jo se nuk kam dëshirë, sespe unë jam rritur në një lagje ku të gjithë shokët e fëmijërisë i kam tifozë të Tiranës. Por nuk kam pasur dëshirë. Unë jam lindur dhe rritur te Partizani. Nuk doja që tani në fund unë të shkoja te Tirana, sepse kam ruajtur këtë linjën. Edhe po të shkoja te Tirana, në qoftë se do dështoje, i pari që do sulmohej do isha unë, sepse do thonin: “Morri i kuq”. Nuk kam ndonjë inat me Tiranën, por vetëm për këtë fakt Tiranën nuk do ta drejtoj ndonjëherë“, ka thënë ndër të tjera Shpëtim Duro./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *