Vetëm dy orë jemi përpara ndeshjes mes Shqipërisë dhe Anglisë. Kjo sfidë e pritur me kaq shumë emocione nga tifozët shqiptarë nuk do t’i gjejë këta të fundit në shtëpinë e tyre të re, Air Albania. Fatkeqësisht Qeveria nuk ka kthyer përgjigje pozitive për kërkesën e FSHF, që në stadium të gjendeshin disa sportdashës me numër të kufizuar. Për këtë arsye lokalet e Tiranës janë shndërruar në “stadiume”.
Në shumë prej tyre gjen flamurin e Shqipërisë duke valëvitur që të tërheqin klientët dhe organizimet. Ora policore nis në 20:00, pikërisht në momentin kur ndeshja ka përfunduar. Pra vendimi i Qeverisë rezultoi si dështim total pasi do të kemi mbledhje më të rrezikshme për pandeminë në lokale dhe nga ana tjetër i kemi hequr lojtarin e 12 Kombëtares Shqiptare.
“Sport Ekspres” paraqet edhe situatën nga stadiumi kur jemi dy orë përpara kësaj sfide. Siç shihet qartë forcat policore janë të shtuara duke u marrë masa të rrepta sigurie që të largojnë çdo grumbullim të mundshëm afër stadiumit. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/