“Më telefonoi edhe Anglia”, rrëfimi i plotë i Brojës: Prindërit ma lanë mua zgjedhjen, po dridhesha në debutim

Armando Broja ka bërë një rrëfim të gjatë përpara ndeshjes që Shqipëria do të zhvillojë kundër Anglisë. Kjo ndeshje do të jetë e vlefshme për kualifikueset e Botërorit, ndërsa kjo sfidë për sulmuesin shqiptar do të jetë disi më e veçantë.

Kjo pasi Broja është rritur dhe formuar tek të rinjtë e Chelseat dhe këtë herë do t’i duhet që të përballet edhe me disa prej shokëve të tij. Kur flitet për zgjedhjen e Kombëtares, sulmuesi është shprehur se nuk i ka munguar as telefonata nga Anglia.

“Debutimi me Evertonin? Kur po bëhesha gati për t’u futur në fushë, nisa që të dridhesha pak. Por sapo hyra në fushë, nervozizmi mu largua. Zakonisht nuk bëhem nervoz para ndeshjes. Zgjedhja e Kombëtares? Kam gjak shqiptari dhe shumica e familjes sime janë në Shqipëri. Vetëm disa kushërinj i kam në Angli. Prindërit e mi erdhën në Angli në moshë të re për ne dhe pa ata nuk do të isha këtu ku jam tani.

Nuk kam luajtur asnjëherë për të moshat e Anglisë. Kam qenë me Shqipërinë U-17, U-19 dhe U-21. Kam marrë një telefonatë edhe nga Anglia. Kishte një vendim që duhej të merrja. Sapo shkova në shtëpi, prindërit më thanë: “Është karriera jote”.

Eredivisie është kampionat i mirë dhe shumë sulmuesë të njohur e kanë nisur nga atje. Mount është një prej futbollistëve që u rrit së fundmi atje dhe më motivojnë. Është vend fantastik për t’u zhvilluar. Mount më tha se do të rritem shpejt se do të jetoj vetëm në një vend tjetër dhe pa një njeri ku mund të mbështetem. Do rritem se tani po luaj në futbollin burrëror”, ka thënë Broja. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *