Shqipëria ka marrë fitoren e parë në kualifikueset e Botërorit duke mundur 0-1 Andorrën. Kuqezinjtë nuk kanë shkëlqyer për të përmbushur plotësisht pritshmëritë e tifozëve, por ajo që ka rëndësi është goli i shënuar nga Ermir Lenjani dhe që na dhuron tre pikët e para.
Kundërshtari kishte vendosur që të luante me nervat e shqiptarëve për të vonuar lojën që në minutat e para. Megjithatë me kalimin e minutave do të vinte ngrita graduale dhe raste të shumta erdhën nga Manaj, Gjimshiti, Kumbulla dhe Ismajli.
Goli do të shënohej nga Lenjani pas pasimit fantastik që erdhi falë inteligjencës së Bares. Pjesa e dytë nisi pa shumë ritëm dhe kuqezinjtë kanë menaxhuar fitoren. Në minutat e fundit ishin disa goditje për t’u mbajtur shënim, por asgjë nuk ndryshoi në rezultat. Më poshtë gjeni intervistat e protagonistëve për “Supersport”:
Reja: “Në pjesën e parë isha i kënaqur me ekipin pasi kishim shumë mundësi që mund t’i shfrytëzonim. Në pjesën e dytë kemi pasur nevojë për 15 minuta që të merrnim veten. Megjithatë ishte një kundërshtar i vështirë dhe këto tre pikët janë të rëndësishme. Do të doja 0-2, por edhe kështu jam i kënaqur. Do t’i marrë maksimumin këtij grupi. Kemi tre ndeshje në pak ditë dhe kjo do të thotë se më duhet të përdor të paktën 20 lojtarë. Andorra u vendos me 5 mbrojtësa dhe nuk kishte hapësira. Në këtë situatë duhet të kesh mesfushën e fortë. U përpoqëm në krahë me Lenjanin dhe Memushaj, ndërsa më pak me Hysaj dhe Baren. Mund të kishim shënuar më tepër, por nuk ishim shumë efikas në sulm. Por kjo është ndeshja e parë në një transfertë të vështirë, duhet të jemi të kënaqur. Do të isha i kënaqur nëse do të luanim për 90 minuta me Anglinë si në 45 minuta kundër Andorrës.
Ermir Lenjani: “U ndieva shumë mirë dhe krenar që ndihmova Kombëtaren sot me golin tim. Nuk ishte ndeshje shumë e mirë të them të drejtën, duhet ta analizojmë më mirë. E pamë se çfarë ndodhi pas golit tim me lojën. Do të shohim përmirësimet dhe shpresojmë që ta shkruajmë prapë historinë. Mund të luaj si në pjesën mbrojtëse dhe sulmuese. Trajneri Reja më besoi dhe nuk kam bërë keq”.
Marash Kumbulla: “Andorra ishte ekip agresiv, rrinte shumë mbyllur mbrapa dhe nuk mund të krijoje shumë raste. Ne i kishim dhe na mungoi disi fati. Gjithsesi tre pikët i morëm dhe të mendojmë për Anglinë. Ne duhet të jemi më mirë para portës dhe të përmirësohemi teknikisht. Kisha mundësi për të shënuar, por kishim pak fat. Më mirë që nuk shënova këtu dhe ta bëj në tjetër ndeshje”.
Keidi Bare: “Sot me rëndësi ishin tre pikët. Fusha nuk ishte në nivelin e duhur për të luajtur futboll. Andorra mbyllet shumë mbrapa, gati me 6 mbrojtës. Jam i lumtur vetëm tre pikët se futboll nuk mund të luash në një fushë të tillë. Ekipi është serioz në punë dhe i bëmë gjërat mirë. Tani e kemi mendjen vetëm te ndeshja me Anglinë. Ishte ndeshje e vështirë pasi nuk të linin që të luaje”.