Shqipëria ka marrë fitoren e parë në kualifikueset e Botërorit duke mundur 0-1 Andorrën. Kuqezinjtë nuk kanë shkëlqyer për të përmbushur plotësisht pritshmëritë e tifozëve, por ajo që ka rëndësi është goli i shënuar nga Ermir Lenjani dhe që na dhuron tre pikët e para.
Kundërshtari kishte vendosur që të luante me nervat e shqiptarëve për të vonuar lojën që në minutat e para. Megjithatë me kalimin e minutave do të vinte ngrita graduale dhe raste të shumta erdhën nga Manaj, Gjimshiti, Kumbulla dhe Ismajli.
Goli do të shënohej nga Lenjani pas pasimit fantastik që erdhi falë inteligjencës së Bares. Pjesa e dytë nisi pa shumë ritëm dhe kuqezinjtë kanë menaxhuar fitoren. Në minutat e fundit ishin disa goditje për t’u mbajtur shënim, por asgjë nuk ndryshoi në rezultat. Më poshtë gjeni intervistat e protagonistëve për “Supersport”:
Marash Kumbulla: “Andorra ishte ekip agresiv, rrinte shumë mbyllur mbrapa dhe nuk mund të krijoje shumë raste. Ne i kishim dhe na mungoi disi fati. Gjithsesi tre pikët i morëm dhe të mendojmë për Anglinë. Ne duhet të jemi më mirë para portës dhe të përmirësohemi teknikisht. Kisha mundësi për të shënuar, por kishim pak fat. Më mirë që nuk shënova këtu dhe ta bëj në tjetër ndeshje”.
Keidi Bare: “Sot me rëndësi ishin tre pikët. Fusha nuk ishte në nivelin e duhur për të luajtur futboll. Andorra mbyllet shumë mbrapa, gati me 6 mbrojtës. Jam i lumtur vetëm tre pikët se futboll nuk mund të luash në një fushë të tillë. Ekipi është serioz në punë dhe i bëmë gjërat mirë. Tani e kemi mendjen vetëm te ndeshja me Anglinë. Ishte ndeshje e vështirë pasi nuk të linin që të luaje”.