Përjashtimi i Arijanet Muriç ishte një ngjarje që turbulloi disi situatën në kampin dardan ditën e djeshme. Një motiv zyrtar nuk është dhënë për këtë vendim, ndërsa në media janë hedhur dy hipoteza. E para ishte një përplasje fizike me shokun e tij të skuadrës, Edon Zhegrovën, ndërsa skenari i dytë ishte se portieri i Kosovës kishte shkuar në gjendje të dehur në hotel dhe ishte zënë me një prej anëtarëve të federatës. Vetë futbollisti ka mohuar këtë histori, teksa për “Insportin” është shprehur: “Jo nuk është e vërtetë, është një gënjeshtër e madhe”.
Ndërkohë për po të njëjtën media ka reaguar edhe babai i tij, Samir Muriç, i cili nuk zbulon se çfarë ndodhi ditën e djeshme, por shprehet: “Nuk e di (arsyen e përjashtimit), Aro nuk më tha, por edhe ne jemi shqiptarë dhe dimë të mbrohemi. Ne mund të mos flasim shqip por kemi të njëjtin gjak si. Të vjetërit thonë se për kalin e mirë pluhuri ngrihet lartë”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/