Trajneri Reja ka folur përpara ndeshjes që Shqipëria do të zhvillojë kundër Andorrës. Tekniku italian e ka bërë të qartë se nuk do të ketë eksperimente në përballjen e nesërme, por do të hedh në fushë më të mirët.
Kur flitet për objektivin e Kombëtares, Reja thekson se ajo që duhet të ndryshohet është mentaliteti, për ta hequr frikën me kurajo. Gjithashtu lojtarët duhet të kuptojnë se Kombëtarja nuk është si klubet ku luajnë, atje ku gabimet i falen për t’i rregulluar në ndeshjet e ardhshme.
Shqipëria ka punuar në kohë rekord dhe ka mbyllur gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të pasur në shërbim Nedim Bajramin. Afrimi i ri i ardhur nga Zvicra është stërvitur me grupin e plotë, por Reja ka saktësuar se tanimë po pritet edhe leja përfundimtare e FIFA-s që të lejohet për të luajtur me Shqipërinë.
“Nuk kemi pasur shumë ditë në dizpozicion për të përgatitur Andorrën. Por ekipin e kam parë mirë dhe të përqendruar. Isha pak i shqetësuar pasi në 2 muajt e fundit lojtarët tanë kishin probleme me dëmtime dhe COVID. Por situata u qetësua në javët e fundit dhe futbollistët tanë kanë luajtur si titullarë në ekipet e tyre. Tani po takohemi pas 4 muajsh, nuk është e lehtë.
E dimë vështirësinë e Andorrës dhe nuk do ta nënvlersojmë këtë kundërshtar, do të kemi përqendrimin e duhur. Pritshmëritë për ne janë më të larta dhe ka ardhur momenti i së vërtetës, le ta shohim sesa jemi rritur. Kam ide të qartë për formacionin që do të hedh në fushë nesër, e kemi formacionin tonë. Por kemi edhe një seancë stërvitore të fundit sot dhe do të shoh nëse do të kemi të papritur.
Nuk do bëj eksperimente në këtë ndeshje, formacionin e kam vendosur dhe do të luajë me futbollistët që i njoh mirë dhe që kanë mentalitetin e duhur. Objektivi ynë? Nuk dua të flas më shumë, por duhet të ndryshojmë mentalitetin. Duhet të kemi kurajo, mos të kemi frikë. Lojtarët duhet të dijnë që të mbajnë presionin dhe mos të gabojnë. Nuk është si në ekip këtu, Kombëtarja është tjetër.
Në ekip të lejohet edhe ndonjë gabim, ndërsa me Kombëtaren kushton shumë. Bajrami? Duhet të presim një leje nga FIFA, është situatë pak e komplikuar. Po presim lejen që mund të vijë sot ose nesër. Është lojtar shumë interesant, ka shenja për t’u rritur edhe më tepër. Është element që mund t’i jap një dorë Kombëtares”, tha Reja. /Sport Ekspres/