Shqipëria do të përballet në ditën e nesërme kundër Andorrës, atje ku zyrtarisht nis edicioni i ri kualifikues për Botërorin. I pranishëm në konferencën për shtyp ishte kapiteni Etrit Berisha që foli përpara trajnerit Reja, pasi i duhej t’i bashkohej me pjesën tjetër të futbollistëve në stërvitje. Portieri i SPAL ka garantuar tifozët shqiptarë se nuk do të ketë asnjë surprizë të hidhur ndaj Andorrës.
“Ne kemi bërë një detyrë të mirë në ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve. Duhet të vazhdojmë ashtu, të mbajmë ritmin tonë. Kemi punuar mirë për ndeshjen kundër Andorrës dhe nuk do të lejojmë asnjë lloj surprize. Nuk na lejohen gabimet nesër se është ndeshja e parë dhe duhet të kemi përqëndrim maksimal. Pastaj do të kemi më shumë qetësi dhe motivim për kundërshtarët e tjerë.
Kemi shumë kualitet dhe duhet të përmirësojmë disa gjëra në vijim. Në ndeshjen që kemi gabuar në shtëpi me Andorrën kemi bërë disa gabime dhe lëshime që duheshin evituar. Por nesër do të jetë histori tjetër”, u shpreh Berisha. /Sport Ekspres/