Zymer Bytyqi është një nga futbollistët që po spikat në Turqi. I transferuar në merkaton dimërore në radhët e Koniasporit, mesfushori shqiptar diti menjëherë si të lërë shenjën e tij. Ditën e sotme numëroi asistin e 5 me skuadrën dhe po tregon një kimi të fortë me bashkëkombasin e tij, Sokol Cikalleshin.
Bytyqi ia di telat sulmuesit kavajas, që e kërkon te Kombëtarja shqiptare. Lojtari 24-vjeçar është lënë jashtë listës së Shaland për ndeshjet e marsit, ndërsa ka ende mundësinë për të zgjedhur kuqezinjtë, duke qenë se me Kosovën ka debutuar vetëm në një ndeshje miqësore.
Duke ditur këtë fakt, Sokol Cikalleshi i bën thirrje zyrtare shokut të tij të skaudrës për të zgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë. Sulmuesi 30-vjeçar ka shpërndarë në llogarinë e tij në “Instagram” golin e shënuar ditën e sotme në fitoren 1-0 të Koniasporin dhe bashkë me pamjet shkruan: “Goli i vetëm dhe i fitores në ndeshjen e sotme! Faleminderit Koniaspor. Zymer Bytyqi, të duam në Kombëtaren Shqiptare”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
View this post on Instagram