Komiteti “HatTrick” i UEFA-s është mbledhur dje përmes video-konferencës për të diskutuar ecurinë e projekteve të qeverisë së futbollit europian si edhe procesin e zbatimit të tyre.
Në këtë mbledhje mori pjesë edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili përveçse anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, është edhe Nën Kryetari Komitetit “HatTrick”.
Temat kryesore të diskutuara në këtë mbledhje kanë qenë shqyrtimi dhe miratimi i projekteve të paraqitura në komitet, por edhe aspekte të përgjegjësisë sociale të futbollit.
Gjithashtu në mbledhje janë diskutuar edhe statusi i programit HatTrick i UEFA-s, bashkëpunimi në projektin e zhvillimit të futbollit “FIFA Forward” si edhe ecuria e punës së Akademisë së UEFA-s.
Në fund, u vendos që takimi i radhës i Komitetit HatTrick të UEFA-s të zhvillohet në Tiranë më 23 shtator 2021. Një mbledhje e këtij komiteti në Tiranë ishte parashikuar edhe më herët, por për shkak të pandemisë Covid-19 axhenda është ndryshuar disa herë dhe mbledhja është zhvilluar online.