“Nuk më bën dot njeri foto mua”! Menaxheri shqiptar që pushton Serbinë, ka fituar 100 milionë euro

Fali Ramadani është menaxheri shqiptar me fuqinë më të madhe ndikuese në Europë. Agjensia e tij “Lian Sport” tregon qartësisht me emrat që ka si pjesë të saj fuqinë që ka në tregun e transferimeve. Ramadani është marrë me çështje të mëdha më parë si transferimi i Joviç te Reali i Madridit apo edhe zgjidhjen e kontratës së Sarrit te Chelsea, për të mbërritur te Juventusi.

Por ajo që është vënë re te Ramadani është përfshirja e tij me futbollistët serb, duke pushtuar tërësisht këtë treg.  Një dekadë e gjysmë më parë, shqiptari nuk kishte asnjë fuqi ose ndikim në ngjarjet e futbollit evropian. Sidoqoftë, marrja nën lojtarët e tij të rinj serb i solli atij një karrierë të paparë menaxheriale. Ai erdhi tek ata përmes huazimeve në klube dhe hapi dyert e futbollit serb në Europë.

“Kurir” ka shkruar një artikull të gjatë për Fali Ramadanin duke treguar se fitimi i tij nga të gjithë lojtarët serb është kolosal, rreth 100 milion euro që janë arkëtuar. Disa kohë më parë menaxheri shqiptar ka shkuar edhe në paraburgim në Spanjë atje ku u ngrit një hetim duke u quajtur si një organizatë kriminale në futboll për kryerjen e disa transferimeve fiktive që kërkonin vetëm dëmtimin e buxheteve të klubeve dhe shtetit ku bënin pjesë, duke iu shmangur taksave.

Gjithashtu në artikullin e “Kurir” tregohet një moment i veçantë teksa një gazetar serb kërkoi t’i bënte foto Ramadanit në Turqi. “Nuk më ka bërë njeri foto deri më sot, nuk më bën dot as ti”, ishte përgjigja e menaxherit shqiptar duke e refuzuar dëshirën e gazetarit. Një e vërtetë kjo pasi nëpërmjet një kërkimi të thjeshtë në “Google” vihet re se është e pamundur që të gjesh një foto të Fali Ramadanit, që kërkohej të mbetej enigmë për mediat serbe. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *