Muajt e fundit nuk kanë qenë aspak të qetë për Kristi Vangjelin. Ai dhe familja e tij u përball me një lajm të vështirë, teksa vëllai i madh, Pavli, u nda nga jeta përpara kohe për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Skuadra e Tiranës si dhe gjithë opinioni sportiv i doli krahë mbrojtësit bardheblu në këtë periudhë të errët për të.
Vangjeli ka folur për herë të parë pas humbjes së vëllait të tillë, teksa në një rrëfim emocionues për gazetaren Enxhi Biba në “Sport News“ në “News 24“ tregon mes lotëve se çfarë marrëdhënie të ngushtë kanë pasur me njëri-tjetrin.
“Për mua ishte një mbështetje shumë e madhe. Që në rini që jemi rritur bashkë, jemi rritur në fushat e futbollit. Ka qenë një lidhje më tepër se vëlla, një mbështetje si ai ndaj meje edhe unë ndaj tij. Shumë njerëz afër familjes e di shumë mirë, sepse është vëllai i dytë që kemi humbur në familjen tonë. Vëllai i madh ka qenë 12 vjeç, më i madhi në moshë nga ne të tre. Gjithsesi ne e kemi ringjallur atë. Djali i madh në familjen time mori emrin e tij. Pavli ka qenë pak më nevrik, më egosit, por me shoqërinë dhe miqtë ka qenë shumë energjik. Bënte gjithçka për shoqërinë e tij. Në kohën e vështirë që kaloi ai e kam përkrahur jashtë mase, si në Shqipëri ashtu edhe në Greqi, edhe aty ku ndodhej, në Australi.
Në momentin që e ka marrë vesh vëllai im, ka qenë data 5 dhjetor, dita e ortodoksëve Shën Sava, që është mbrojtësi i pacientëve të kancerit. Unë isha i gatshëm që në atë moment që e kam mësuar të shkoja afër e atij. Dua të falenderoj presidentin e Tiranës që më ka mbështetur në çdo moment. Gjithë çunat e ekipit të Tiranës, që më kanë prekur jashtë mase, sidomos në ndeshjen ndaj Skënderbeut, edhe çunat e Skënderbeut me atë që kanë bërë duke mbajtur një minutë heshtje dhe duke ia dedikuar atij golin e parë. E mbaj mend çdo bisedë. Në ato dy muaj kur u kthye nga Australia ishte me mua gjatë gjithë kohës, rrinte me mua 24 orë. Asnjëherë nuk kishte frikë. Nuk tha asnjë herë po vdes, apo të lutem më ndihmo. Nuk e ka thënë asnjëherë këtë gjë“, është rrëfyer Kristi Vangjeli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/